Gruda i PDK-së: Nuk e mbështesim Konjufcën dhe asnjë kandidat tjetër partiak
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka deklaruar se PDK-ja nuk do ta mbështesë kandidaturën e Glauk Konjufcës për president dhe nuk do të marrë pjesë në seancat për zgjedhjen e tij, duke akuzuar mazhorancën për shkelje të rendit kushtetues.
Ai tha se partia e tij ka vendosur të mos mbështesë asnjë kandidaturë partiake dhe se, sipas tij, shmangia e mbajtjes së seancave për zgjedhjen e presidentit përbën përmbysje të rendit kushtetues.
Sipas Grudës, Kuvendi duhet të mblidhet dhe ta konsumojë procedurën kushtetuese, qoftë për ta zgjedhur ose për të mos e zgjedhur presidentin.
“Ne kemi vendosur që mos të mbështesim kandidaturën e Glauk Konjufcës, asnjë kandidaturë tjetër partiake. Është qëndrim i qartë edhe nuk do të marrim pjesë në seancat. Por ajo që po përgatitet është mos me u mbajt seancat fare si e kuptoj unë, është përmbysje e rendit kushtetues. Sepse sot Kuvendi u desh me u mbledh, me zgjedh ose mos me zgjedh një president. Po kjo që as mos me e zgjedh, as mos me e konsumuar procedurën, është shkelje e Kushtetutës edhe po bëhet me qëllim me përmbys rendin kushtetues, me ja nënshtru krejt rendin kushtetues vullnetit të një partie politike”, tha ai.
Ai tha se LVV-ja po tallet me Kosovën.
“Besoj është tallje me krejt Kosovën, sepse rezultati dihet. E vërteta është se ne i kemi vetëm 22 deputetë. Por është edhe një e vërtetë e madhe, populli i Kosovës e ka votu 51% Vetëvendosjen, jo 100%, a ashtu? 51%. Me 51% ata kanë mujt me formu qeverinë, me formu Kuvendin, me miratu Ligjin për buxhetin e gjëra të tjera, por jo edhe me bë president. Prandaj duhet me u sjell në përputhje me rezultatin zgjedhor. Ky rezultat zgjedhor na ka imponu që të tona me u ulë e me gjet një emër për president. Kjo është e vërteta. Po krejt partitë populiste në botë, në fakt, kur fitojnë 51% e llogarisin sikur kanë fitu 100%, sillemi si 100%. Ajo është komplet tallje me Kosovën, me Kushtetutën, me interesat e qytetarëve të Kosovës. Është papërgjegjësi e pashembullt në Kosovën e pavarur”, tha ai. /EO