Osmani: Sakrifica e familjes Jashari në Prekaz ndryshoi drejtimin e historisë së Kosovës
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përmendi kontributin e ushtarëve dhe sakrificat që u bënë me 5, 6 dhe 7 mars.
Ajo tha se pikërisht në këto ditë e 28 vjet më parë historia e Kosovës mori drejtim të ri dhe se familja Jashari u bë kala, ndërkaq kullat e tyre u bënë flamur i përhershëm i lirisë sonë.
“Marsi, që në mitologjinë e lashtë simbolizonte luftën dhe guximin, ishte muaji i përballjeve, të cilat vendosën drejtimin e historisë sonë. Pikërisht më 5, 6 dhe 7 mars 1998, në zemër të Prekazit, historia jonë mori drejtim të ri. Këtu u gjetën qëndresa, sakrifica, heroizmi dhe armët tona në një vend. Në vendet e kullave në Prekaz, qëndroi komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, bashkë me të gjithë familjen e tij, duke zgjedhur sakrificën përpara përkuljes. Ata zgjodhën lirinë para frikës e mbi të gjitha zgjodhën nderin para jetës. Ato tri ditë marsi u bënë muaji i epopesë dhe i sakrificës që lindi një komb të tërë. Familja Jashari u bë kala, ndërkaq kullat e tyre u bënë flamur i përhershëm i lirisë sonë”, tha Osmani.

Osmani tha se këto tri data të 1999-s janë momentet kur Kosova vendosi të mos jetojë e gjunjëzuar.
“Sot kur kujtojmë 5, 6 dhe 7 marsin, kujtojmë momentin kur Kosova vendosi mos të jetojë e gjunjëzuar. Prandaj tri ditët e Epopesë janë histori e shkruar me qëndresë, para së cilës përkulemi sot e do të vazhdojmë të përkulemi përgjithmonë. 58 shpirtra u bënë dritë për një popull. Në ato ditë krisma e armëve nuk ishte vetëm zhurmë baruti, por thirrje për liri. Ky ishte kushtrimi që zgjoi Drenicën, Kosovën, mbarë kombin, por po ashtu zgjoi ndërgjegjen e të gjithë botës”, u shpreh ajo.

Tutje Osmani në fjalën e saj u shpreh se nga Prekazi nisi orteku i lirisë.
“Epopeja e marsit nuk është vetëm kujtesë emocionale. Është akt themelues i Republikës sonë dhe moment kur pushka e qëndresës u bë zë politik i një kombi që kërkonte vendin e vet në botë si komb i lirë. Nga Prekazi nisi orteku i lirisë që nuk u ndal më. Nisi një frymë që u përhap në çdo fshat e në çdo qytet. Nisi një betim se kjo tokë nuk do të nëpërkëmbet. Epopeja është epike sepse buroi nga populli”, theksoi ajo. /eo
