Haxhiu: Prekazi, simbol i një populli që nuk dorëzohet
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në seancën solemne për nder të përvjetorit të 28 të Epopesë së UÇK-së, ka deklaruar se atë ditë shtëpia e Adem Jasharit ishte kthyer në qendër të një përballjeje që e ndryshoi historinë e Kosovës.
Ajo tha se në tri ditë luftime e gjithë historia e Kosovës kaloi nëpërmjet Jasharëve dhe qëndresës së tyre përmes vendosmërisë, për të mos u larguar nga toka e tyre.
“Shtëpia u rrethua, rrugët u bllokuan, lëvizja u ndërpre, komandanti Adem Jashari dhe gjithë Jasharët atë ditë e dinin se çfarë dite kishte ardhur, shtëpia që deri dje ishte e zakonshme atë ditë u kthye në qendër të një përballje që e ndryshoi historinë. Në tri ditë luftime e gjithë historia e Kosovës kaloi nëpërmes Jasharëve dhe qëndresës së tyre, përmes vendosmërisë për të mos u larguar nga toka e tyre, ata morën mbi vete barrën më të rëndë të kohës. Në fund të atyre tri ditëve u vranë të moshuar që kishin parë shumë burra e gra në moshën e forcës, por edhe fëmijë që sapo kishin nisur jetën, sakrifica e tyre mbetet jo vetëm dhimbje, por themel i kujtesës së kombit tonë. Prekazi u bë simbol i një populli që nuk pranon të dorëzohet”, deklaroi Haxhiu.
