Kurti: Populli e ka UÇK-në e UÇK-ja Epopenë e saj
Foto: Laura Hasani

Kurti: Populli e ka UÇK-në e UÇK-ja Epopenë e saj

Aktuale March 05, 2026 - 12:48

Kryeministri Albin Kurti nga kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë në 28-vjetorin e Epopesë së UÇK-së tha se populli ka UÇK-në e UÇK-ja Epopenë e saj, e cila është ngritur përreth rezistencës së armatosur.

“Në historinë moderne të Kosovës Epopeja e UÇK-së paraqet traditën përmes së cilës i referohemi ngjarjes më totale dhe përcaktuese në rrugën e betejave të shqiptarëve për liri në Kosovës përgjatë shekullit XX. Populli e ka UÇK-në e UÇK-ja Epopenë e saj, e cila është ngritur përreth rezistencës të armatosur dhe sakrificës së familjes Jashari 5, 6 dhe 7 mars 1998 si një ngjarje shembullore e fuqisë së qëndresës të dalë nga guximi dhe gatishmëria për të sakrifikuar gjithçka për liri”, tha ai.

Image

Ai tha se FSK-ja po rreshtohet me ushtritë e NATO-s, e ku tha se rreshtimi i kuadrateve të ushtrisë së Kosovës, është ashtu siç mund ta ketë ëndërruar kryekomandanti Adem Jashari, atëherë kur ushtria e Kosovës ishte veçse një ide e nuk besohej.

“FSK-ja sot rreshtohet me ushtritë e NATO-s, zbarkon misione që ndërtojnë dhe mirëmbajnë paqen kudo nëpër botë. Dhe e gjithë kjo ka ndodhur, të nderuar pjesëmarrës, dhe po ngjan, nën urdhra dhe komanda të dhëna nga një kazermë ushtarake me emrin ‘Adem Jashari’, këtu ku jemi mbledhur sot, më 5 mars 2026, në ditët e para të Epopesë së UÇK-së, për ta kujtuar dhe nderuar pikërisht rezistencën e kryekomandantit Adem Jashari dhe të familjes së tij. Përpara nesh janë rreshtuar kuadratet e Ushtrisë së Kosovës, ashtu siç duhet t’i ketë ëndërruar Adem Jashari dikur, në një kohë kur Ushtria e Kosovës ishte veçse një ide që besohej nga fare pak njerëz. Përballë tyre jemi të gjithë ne, qytetarë të vendit e zyrtarë të shtetit tonë, që çdo ditë e më shpesh po e dëshmojmë rritjen, ngritjen dhe përparimin e Ushtrisë së Kosovës. Kjo edhe si rezultat i investimeve milionëshe të qeverisë së Republikës në pajisje dhe sisteme të armatimit, në trajnime dhe shkollime të ushtarakëve tanë nëpër akademitë më të mira të vendeve të NATO-s, si dhe në strukturën dhe infrastrukturën e FSK-së”, tha Kurti.

Image