OVL UÇK: Fyese që në seancën për Epopenë s’u ftuan kategoritë e dala nga lufta

OVL UÇK: Fyese që në seancën për Epopenë s’u ftuan kategoritë e dala nga lufta

Aktuale March 05, 2026 - 13:43

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë shprehur zhgënjim, duke u thënë se janë thellësisht të fyera se si në seancën e Epopesë së UÇK-së nuk ishin të ftuar e ku theksojnë se është paradoksale të flitet për lavdinë e UÇK-së brenda sallës së Kuvendit, e jashtë saj të lihen njerëzit që e krijuan atë histori me gjakun dhe sakrificën e tyre.

“Është e papranueshme dhe thellësisht fyese që në një seancë solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës kushtuar Epopesë së UÇK-së të mos ftohen fare përfaqësuesit e kategorive të dala nga lufta. Pikërisht ata burra e gra që me pushkë në dorë ngritën dhe mbrojtën idealin e lirisë, ata që sakrifikuan gjithçka për këtë shtet, sot u lanë jashtë një ceremonie që i kushtohet historisë dhe sakrificës së tyre. Kjo nuk është vetëm një neglizhencë institucionale, por një shpërfillje e drejtpërdrejtë ndaj luftëtarëve, familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe gjithë atyre që bartën mbi supe barrën e luftës për liri. Është paradoksale që të flitet për lavdinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës brenda sallës së Kuvendit, ndërsa jashtë saj të lihen pikërisht njerëzit që e krijuan atë histori me gjakun dhe sakrificën e tyre. Kategoritë e dala nga lufta nuk kërkojnë privilegje, por respektin institucional që u takon. Historia e luftës çlirimtare nuk mund të kujtohet duke përjashtuar ata që e bënë atë histori”, thuhet në reagimin e OVL UÇK-së.