Komisioni për Legjislacion miraton ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen direkte të presidentit

Komisioni për Legjislacion miraton ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen direkte të presidentit

Aktuale March 05, 2026 - 19:18

Me 6 vota për dhe 2 kundër, Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës ka miratuar amendamentet kushtetuese të paraqitura nga presidentja Vjosa Osmani, të cilat parashohin që kreu i shtetit të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët. Procesi nuk kaloi pa debate të forta ndërmjet anëtarëve të komisionit.

Deputeti i LVV-së, Adnan Abrashi, tha se tani janë krijuar rrethanat për të proceduar këtë proces. “Pyetja më e rëndësishme që të gjithë e shtrojmë sot është kjo: A duhet qytetarët e Kosovës të kenë të drejtën për ta zgjedhur presidentin e tyre me votë të drejtpërdrejt? Nëse po, ne si deputetë duhet ta avancojmë demokracinë deri në këtë përmasë,” tha Abrashi, duke kërkuar nga kryesuesi i komisionit Përparim Gruda që procedimi të mos vonohet.

Nga ana tjetër, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku, theksoi se procedimi i amendamenteve nuk duhet të bëhet me urgjencë. “Reformat kushtetuese kërkojnë analizë, kohë dhe debat të mirëfilltë. Procedimi i tyre në kushtet e krizës politike nuk përbën një zgjidhje afatshkurtër,” tha Lushaku.

Deputeti i LVV-së, Vigan Qorrolli, nënvizoi se Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka vlerësuar më parë përmbajtjen e këtyre amendamenteve si kushtetuese dhe komisioni duhet të përqendrohet në përmbajtjen dhe procedurën e tyre, duke i shqyrtuar “germë për germë” për t’i dërguar më pas në seancë plenare.

Edhe anëtari tjetër i LVV-së, Adnan Rrustemi, theksoi se rrethanat aktuale justifikojnë procedimin e amendamenteve në seancë plenare, pasi faza e vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese është përmbushur. Ai shtoi se elementi i fundit që mbetet është votimi i deputetëve sipas procedurës kushtetuese.

Ndërsa kryesuesi i komisionit, Përparim Gruda nga PDK, u shpreh se amendamentet e paraqitura nga presidentja Osmani nuk mund të shqyrtohen menjëherë pasi datojnë nga një dekadë më parë. “Për t’u diskutuar një amandament i vlefshëm, duhet që ai të dërgohet në Gjykatë, të vlerësohet, dhe komisioni të mblidhet brenda afatit të parashikuar me rregullore. Nuk mund të sjellim sot amandamente të bëra para më shumë se dhjetë vitesh,” tha Gruda.

Miratimi i amendamenteve nga komisioni për legjislacion hap rrugën për procedim në seancë plenare, duke afruar mundësinë që qytetarët e Kosovës të vendosin drejtpërdrejt për presidentin e ri të vendit. /telegrafi