Haxhiu u kërkon deputetëve të shkojnë në seancë, thotë se nuk i morën leje për të munguar
Foto: Laura Hasani

Haxhiu u kërkon deputetëve të shkojnë në seancë, thotë se nuk i morën leje për të munguar

Aktuale March 05, 2026 - 22:45

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, po u bën thirrje vazhdimisht deputetëve të opozitës të marrin pjesë në sallë për seancën për zgjedhjen e presidentit të ri.

Ajo tha se deputetët e kanë “detyrim” të jenë të pranishëm sipas Kushtetutës së vendit dhe se ata nuk kanë marrë leje për të munguar.

Aktgjykimi në rastin e zgjedhjes së Behgjet Pacolli për president, të cilit iu referua kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, në pikën 83 thotë se “të gjithë 120 deputetët e Kuvendit duhet të ndjehen të obliguar” sipas Kushtetutës dhe ligjeve që të marrin pjesë në seanca plenare, ndërsa pika 84 thotë se ata “duhet ta konsiderojnë si detyrë kushtetuese të tyre” zgjedhjen e presidentit.

Kjo çështje ishte sqaruar në aktgjykimin tjetër të Kushtetueses, për rastin e zgjedhjes së Hashim Thaçit president në vitin 2016, kur LVV-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kishin kërkuar që zgjedhja e tij të shpallej antikushtetuese, me arsyetimin se nuk kishin marrë pjesë 120 deputetë në votim dhe se s’ishte përmbushur kuorumi.

Pika 74 e atij dokumenti kishte dalë në përfundim se nuk është as parakusht, dhe as kërkesë kushtetuese, që të gjithë 120 deputetët të jenë të pranishëm dhe të votojnë, për të qenë i vlefshëm vendimi i zgjedhjes së presidentit.