Osmani: Qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje, këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme
E paralajmëruar për në orën 08:00, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e ka nisur konferencën e saj me disa minuta vonesë. Në këtë konferencë që erdhi pas ngjarjeve të mbrëmshme në Kuvendin e Kosovës, Osmani tha se qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje
“Qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje. Këtë situate e ka krijuar dështimi i kuvendit për ta kryej detyrën. Këtu e sollen vendin njerëz të papërgjegjshëm, e me qëllime të rrezikshme”, tha Osmani
Përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën që ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja. Kjo situatë ka qenë e evitueshme dhe është për të ardhur keq që kemi arritur deri këtu.
Sot, në përputhje me kompetencat e mia kushtetuese, kam nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit. Në një republikë kushtetuese ekziston diçka që është mbi kalkulimet partiake dhe mbi interesat e momentit: Kushtetuta. Ajo është kontrata themelore e shtetit dhe e qytetarëve.
Ky dështim nuk ishte as i rastësishëm dhe as i pamenduar; përkundrazi, ishte i kalkuluar dhe i menduar, gjë që është edhe më shqetësuese.
Mandati i presidentit të ri duhej të përfundonte më 4 prill. Kjo do të thotë se 5 marsi ishte afati i fundit për zgjedhjen e tij. Ky afat tashmë ka skaduar. Nuk kemi të bëjmë me një debat politik, por me një fakt të qartë kushtetues.
Kuvendi ka dështuar të përmbushë një nga obligimet e tij themelore kushtetuese. Një kuvend që nuk arrin ta zgjedhë presidentin nuk mund të vazhdojë pafundësisht pa e kryer këtë detyrë.
Afati përfundimtar për këtë proces ishte i qartë dhe përfundoi mbrëmë në mesnatë. Deputetët kishin në dispozicion 23 ditë, por vendosën të mos e përmbushin këtë obligim.
Fakti që Kuvendi ka zgjedhur të mos i shfrytëzojë ditët në dispozicion nuk e ndryshon Kushtetutën. Kushtetuta nuk funksionon sipas logjikës së komoditetit politik. Asnjë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese nuk e pezullon rrjedhën e afateve kushtetuese.
Sot nuk kemi një situatë të hapur për interpretim: afati kushtetues tashmë ka përfunduar.