Rama bën homazhe te shtatorja e Zahir Pajazitit: Lirinë që gëzojmë sot, ia kemi borxh UÇK-së
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me drejtorët komunalë bënë homazhe te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti në sheshin me të njëjtin emër, me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së.
Ai theksoi rolin dhe sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së vendit.
Pas homazheve, Rama u shpreh se Kosova ia ka borxh për lirinë që Kosova ka sot.
“Jemi përgjithmonë, për jetë, ju kemi borxh për gjithë atë që kanë dhënë, për gjithë këtë që gëzojmë ne sot. Jemi së bashku me ekipin tonë nga kryeqyteti këtu, me zyrën të cilën e kemi krijuar veçanërisht për respektin dhe ngritjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pra edhe të gjitha proceset që kanë të bëjnë edhe me Epopenë e UÇK-së, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Rama.
Ai shtoi se sakrifica e UÇK-së ka rezultuar me pavarësinë e Kosovës, teksa shtoi se pas homazheve te “Zahir Pajaziti”, do të shkojnë edhe në Prekaz, “së bashku me ekip, të bëjmë homazhe edhe atje për familjen legjendare të komandantit legjendar Adem Jashari, si shenjë respekti për çdo gjë që ka dhënë, për flijimin e jetës së vet dhe të gjithë familjes së tij, të 59 anëtarëve, edhe si rezultat thashë një emancipimi të popullit tonë dhe luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që edhe ka rezultuar me pavarësinë e Republikës së Kosovës”.
Ndërsa kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve, Naser Pacolli, tha se nuk ka investime të duhura në varrezat e dëshmorëve. /klankosova