FSK-ja pritet të dislokohet në Gazë, Jashari zhvillon videokonferencë me komandantin e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka zhvilluar një videokonferencë me komandantin e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), gjeneralmajor Jasper Jeffers III nga ushtria amerikane, për të koordinuar hapat e nevojshëm për dislokimin e FSK-së në Rripin e Gazës.
Sipas njoftimit, gjatë takimit Jashari e falënderoi gjeneralin amerikan dhe, përmes tij, ushtrinë amerikane për ftesën që i është bërë Kosovës për të marrë pjesë në këtë operacion ndërkombëtar stabilizues.
Ai konfirmoi gatishmërinë e FSK-së për të marrë pjesë në mision me një kontingjent, duke theksuar se forca është një ushtri profesionale e trajnuar sipas standardeve të NATO-s dhe e gatshme të kontribuojë në operacione ndërkombëtare sa herë që kërkohet nga ushtritë partnere, në këtë rast nga SHBA-ja.
Në përmbyllje të takimit, Jeffersi falënderoi Jasharin për gatishmërinë e FSK-së për të kontribuuar në sigurinë në Lindjen e Mesme, duke e vlerësuar Kosovën si partnere serioze dhe promovuese të paqes dhe stabilitetit në botë. /Zëri