SBASHK: Edhe këtë vit, 7 Marsi na gjen me varg ankesash
Mes edukimit e formimit të brezave ndër vite, Mynevere Qeshmexhiu feston sot Ditën e Mësuesit.
E kujtimet rreth ditës së parë të mësimdhënies, ajo nuk i ka harruar.
Ato momente i kujton përplot emocion.
“7 marsi i parë si mësuese ka qenë tepër emocional sepse shumica e mësimdhënësve nuk ishin kthyer ngaqë ishin dalë nga lufta nëpër vende të treta që e kishin braktis vendin dhe nuk ishin kthyer gjithë, gjithashtu as nxënësit nuk ishin kthyer”, rrëfeu Mynevere Qeshmexhiu, mësuese në shkollën “Emin Duraku”.
Qeshmexhiu thotë se përkushtimi i mësimdhënësve për nxënësit mbetet i njëjtë në çdo 7 mars.
“Si çdo 7 mars tjetër, ne çdoherë përpiqemi që ta bëjmë më të mirën për fëmijët, kombin. Qysh dihet nga fillimi, mësuesit kanë qenë gjithmonë ata prijësit e një shteti dmth se çdo gjë e mirë rrjedh nga mësuesit dhe edhe ky 7 mars na gjen gjithmonë aktiv për një të ardhme më të mirë për fëmijët”.
Por situatën aktuale të arsimit në vend, dikush tjetër po e sheh goxha sfiduese.
Rrahman Jasharaj nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit thotë se problemet janë duke i përcjellur ndër vite.
“Edhe ky 7 mars, mësuesin e gjen me probleme dhe sfidat e viteve të kaluara. Ka 5 vite që përfaqësuesit e mësuesve, do të thotë, udhëheqësit e SBASHK-ut, nuk kanë pasë dialog me Qeverinë për t’i debatuar kërkesat legjitime të anëtarësisë. 7 marsi, kjo festë e madhe e shkollës shqipe edhe e mësuesit e gjen pa kushte të duhura të punës, në shkollat tona punohet me shkumës dhe shpuzë me mungesë të teknologjisë bashkëkohore. Mësuesin po e gjen edhe me pagat më të ulëta karshi kolegëve në shtetet përreth”, deklaroi Jasharaj.
Ndërkohë, njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja vlerëson se debati për mësimdhënësit nuk duhet të kufizohet vetëm te paga.
“Tash mësimdhënësit jo të gjithë i kanë, operojnë në kushte të duhura të punës, po nganjëherë kushtet e mira të punës shkojnë përtej një page vetë. Debati në vendin tonë është i kufizuar tekngritja e pagave, reagimet sindikale gjithmonë i ke në diskutim për paga. Mirëpo ajo çka ne do të donim të shihnim është më shumë vëmendje për kushte më të mira të mësimdhënësve në vendin e punës, përkrahje më të rritur për ta, për punën e tyre që e bëjnë, në mënyrë me garantu që çdo mësimdhënës shkon me qejf në punë, po edhe profesioni i mësimdhënies me u bë i dëshiruar dhe atraktiv për të rinjtë dhe të rejat që duan të futen në këtë rrugëtim”, thotë Qehaja.
Kjo datë, si përherë, përcillet me aktivitete të shumta nga shkollat duke e vendosur në pah rëndesinë e mësimdhënësve në shoqëri./teve1