Haxhi Avdyli jep dorëheqje nga “Guxo”, pas sulmeve ndaj Vjosa Osmanit
Foto: Laura Hasani

Haxhi Avdyli jep dorëheqje nga “Guxo”, pas sulmeve ndaj Vjosa Osmanit

Aktuale March 09, 2026 - 13:30

Deputeti Haxhi Avdyli ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat që mban në listën “Guxo”.

Sipas tij, ky veprim është në shenjë proteste për sulmet e fushatën linçuese që po bëhen ndaj presidentes Vjosa Osmani, pas dekretit për shpërndaje të Kuvendit, raporton Zeri.info.

“Qëndrimin tim për procesin e fundit politik e kam thënë publikisht në mbledhjen GP të LVV-së në prani edhe të Kurtit e po ashtu edhe në kryesi të ‘Guxo’.

Ne disa, me respekt të ndërsjellë, jemi pajtuar që s’po pajtohemi me orientimin që po merrte shumica e Grupit tonë politik.

Por edhe pse ishte ky mospajtim politik i rrallë mes nesh, nuk do ta kisha menduar kurrë që do të pasonte kjo fushatë bazuar në linçim, fyerje, shpifje të ulëta e deri në kërcënime nga kolegë deputetë, politikanë, miq të mi të njohur e panjohur, nga mu ata që deri para pesë ditësh e quanin Vjosa Osmanin krenari të Kosovës”, thekson Avdyli.

Ai, ndër të tjera, shpreson të ndalet kjo gjuhë e urrejtjes, sepse është jonjerëzore dhe se debatet politike kanë për të vazhduar.

“Uroj dhe shpresoj që, për hir të Kosovës dhe të ardhmes së fëmijëve tanë, kjo dorëheqje e ime, si deputet në pesë mandate, tri mandate nga lista me LVV-në, të ju shërbej sado pak që të mendoni me kokë të ftohur, që të jetë apel nga një deputet që ka dhënë shumë për këtë 50% e 51%, që ta ndërroni strategjinë denigruese, ta ndalni gjuhën e urrejtjes dhe dhunës.

Mbani qëndrime politike, por aman shpërndani më shumë respekt e dashuri mesh nesh, sepse ajo është që na duhet.

Rrugët politike mund të na ndahen e mund të na bashkohen, por njerëzillëkun brenda nesh s’bën ta vrasim”, thuhet në postimin e Avdylit. /Zëri