Haxhiu: Vendimi i Kushtetueses për masën e përkohshme, hap i rëndësishëm
Foto: Laura Hasani

Haxhiu: Vendimi i Kushtetueses për masën e përkohshme, hap i rëndësishëm

Aktuale March 09, 2026 - 23:17

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar si hap shumë të rëndësishëm vendimin e Gjykata Kushtetuese të Kosovës për vendosjen e masës së përkohshme ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

Ndryshe Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 31 mars.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme ndaj Dekretit për shpërndarjen e Kuvendit është një hap i rëndësishëm për të parandaluar pasoja që mund të dëmtonin funksionimin kushtetues të institucioneve të vendit. Kuvendi i Republikës përfaqëson drejtpërdrejt vullnetin e qytetarëve dhe roli i tij në jetën demokratike të vendit është i pazëvendësueshëm. Vendimmarrja për institucionet nuk mund të jetë rezultat i veprimeve të njëanshme, por duhet të respektojë parimet e përfaqësimit demokratik”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ajo ka shtuar se gjatë kësaj periudhe, për shkak të masës së vendosur nga Gjykata, aktiviteti i Kuvendit mbetet i kufizuar, gjë që sipas saj ndikon drejtpërdrejt në mundësinë e institucionit për të ushtruar funksionin e tij në shërbim të qytetarëve.

Haxhiu ka theksuar se pret nga Gjykata Kushtetuese një vendim që, sipas saj, “ta mbrojë Kushtetutën, rendin demokratik dhe funksionimin e rregullt të institucioneve”.