Raportet e Kurtit me Ramën, Osmani: Nëpër botë më thuhej “mirë me Serbinë, por çka patët me Shqipërinë?” e më bëri të reflektoja
Presidentja Vjosa Osmani tha se ka reflektuar për marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë, pas takimeve me liderë të vendeve të tjera, që tha se ia përmendnin këtë çështje në takime.
Ajo tha se Kosova këto vite ka qenë “në një situatë sfidash të mëdha” kur i janë dashur aleatë.
“Llogariteni, kur unë vizitoja vende të ndryshme në botë dhe filloja të flisja për Serbinë, se sa po heqim nga Serbia – gjë që është e vërtetë – dhe përgjigjja që e merrja ishte kjo: ‘Mirë-mirë me Serbinë, por me Shqipërinë çka patët?. Si është e mundur që me Shqipërinë s’ia kaloni mirë?’. Dhe momente të tilla duhet ta bëjnë secilin lider të reflektojë. Dhe ne e kemi bërë pikërisht këtë”, tha Osmani në një intervistë në Syri TV.
Ajo tha se bashkëpunimi i saj me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, me presidentin Bajram Begaj dhe me ministrat është “institucional dhe vetëm e vetëm në interes të Kosovës”.
Osmani tha se në të kaluarën dallimet mes Kosovës dhe Shqipërisë ishin më të vërejtshme.
“Në të kaluarën më shumë ka pasur fokus – po ju them sinqerisht – në këto dallimet mes Kosovës dhe Shqipërisë. Kohëve të fundit – për shkak se ne koordinoheshim paraprakisht, ta zëmë, për të kërkuar heqjen e masave ndaj Kosovës, koordinoheshim paraprakisht që të kërkohet anëtarësimi i Kosovës në NATO, koordinoheshim paraprakisht për gjëra të tjera që janë në interesin tonë, si dhënia e statusit kandidat – nuk vëreheshin dallime në deklarimet tona në samite, rrjedhimisht edhe partnerët tanë më nuk diskutonin tema të tilla”, tha ajo.
“Por prej kur Kosova duhet t’ia mbyll derën Shqipërisë?”, tha ndër të tjerash Presidentja e Kosovës.