Hoxha takim me Kaja Kallas: Shqipëria, aleat i besuar për sigurinë evropiane
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, u takua të martën në Bruksel me zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas.
Në një reagim në rrjetin social X, Hoxha theksoi se, në takim rikonfirmoi linjëzimin e plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, duke reflektuar angazhimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj parimeve dhe përgjegjësive që Shqipëria ndan me partnerët evropianë.
“Shqipëria mbetet një partner i fuqishëm dhe i besueshëm i Bashkimit Evropian, duke mbrojtur me vendosmëri vlerat që qëndrojnë në themel të projektit tonë të përbashkët evropian dhe duke kontribuar aktivisht në stabilitetin rajonal dhe në sigurinë e kontinentit evropian”, shkroi Hoxha.
Në një kohë kur lufta, konfliktet dhe kërcënimet hibride sfidojnë gjithnjë e më shumë sigurinë evropiane dhe globale, sipas ministrit të Jashtëm shqiptar, mbetet thelbësore të ruhet një angazhim i fortë në mbështetje të paqes, demokracisë dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla të pranuara ndërkombëtarisht.
“Në këtë fazë të rëndësishme të rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, forcimi i Partneritetit për Sigurinë dhe Mbrojtjen me BE-në, tashmë në vitin e tij të dytë, dëshmon vendosmërinë tonë për të thelluar dialogun dhe për të rritur bashkëpunimin praktik në mbështetje të qëndrueshmërisë strategjike dhe kapaciteteve mbrojtëse të Evropës”, shtoi më tej Hoxha.
Sipas ministrit të Jashtëm shqiptar, Shqipëria si një anëtare e përkushtuar e NATO-s dhe një vend kandidat i angazhuar për anëtarësim në BE, mbetet e gatshme të kontribuojë më tej në sigurinë kolektive përmes forcimit të kapaciteteve dhe gatishmërisë së saj, mbështetjes së menaxhimit të krizave dhe rritjes së qëndrueshmërisë së përbashkët, duke kontribuar gjithashtu në forcimin e rolit të Bashkimit Evropian në skenën globale.
Gjatë takimit, Kallas vlerësoi Shqipërinë për linjëzimin e plotë me politikën e jashtme të Bashkimit Europian, që e bën ndër të tjera Shqipërinë, një aleat serioz për vetë Unionin. /atsh