Partnerët e KiE-së në mision faktmbledhës rreth lirisë së medias në Kosovë
Foto: Laura Hasani

Partnerët e KiE-së në mision faktmbledhës rreth lirisë së medias në Kosovë

Aktuale March 11, 2026 - 11:41

Organizatat partnere të platformës së Këshillit të Evropës për sigurinë e gazetarëve do të zhvillojnë një mision faktmbledhës dyditor në Kosovë, më 24 dhe 25 mars, me qëllim të adresimit të sfidave që lidhen me lirinë e medias dhe diskutimin e zgjidhjeve të mundshme me përfaqësues të mediave dhe autoriteteve.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, delegacioni do të trajtojë një sërë çështjesh që lidhen me funksionimin e mediave, përfshirë presionin politik ndaj mediave; sigurinë e gazetarëve; kushtet e punës së gazetarëve; legjislacionin, përfshirë ligjin për media dhe amendamentet e propozuara; transmetuesin publik (RTK) dhe Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM); qasjen e gazetarëve në informata publike; kërcënimet ligjore, përfshirë paditë abuzive (SLAPP) dhe propozimet për rikriminalizimin e shpifjes; si dhe transpozimin dhe zbatimin e Direktivës Evropiane kundër SLAPP, Akti Evropian për Lirinë e Medias (EMFA) si edhe Akti për Shërbime Digjitale (DSA).

Sipas njoftimit, kryeministri Albin Kurti tashmë ka konfirmuar takimin me delegacionin. Gjatë misionit parashihen takime edhe me redaktorë dhe gazetarë, anëtarë të komisionit parlamentar për media, përfaqësues të institucioneve gjyqësore, me ata të Policisë së Kosovës, organeve rregullatore dhe të transmetuesit publik.

Pas përfundimit të misionit dyditor, partnerët do të paraqesin gjetjet e tyre fillestare në një konferencë për media në Prishtinë dhe më pas do të publikojnë një raport për lirinë e medias, së bashku me një sërë rekomandimesh.

Tutje bëhet e ditur se raporti do t’u shpërndahet organizatave relevante kombëtare dhe ndërkombëtare.

Një mision i ngjashëm faktmbledhës në Kosovë ishte organizuar nga platforma edhe në vitin 2022. Misioni mbështetet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.