Raporti i PE-së për Kosovën shpreh shqetësim për lirinë e mediave dhe kërcënimet ndaj gazetarëve
Draft-Report i Parlamentit Evropian për Kosovën, pjesa që flet për Kosovën dhe mediat, shpreh keqardhje për mungesën e progresit në sigurimin e lirisë së shprehjes.
Raporti vëren se Kosova ka një peizazh mediatik pluralist,; gjithashtu shpreh shqetësim që renditja e Kosovës për lirinë e medias ka rënë me 24 vende, duke u renditur në vendin e 99-të në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit 2025.
Rithekson shqetësimin për sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave; bën thirrje për reagim më të fortë të prokurorisë dhe për harmonizimin e legjislacionit për mediat me atë të BE-së dhe standardet ndërkombëtare, transmeton Zeri.info.
Tutje, raporti thekson nevojën për të siguruar financim të qëndrueshëm dhe pavarësi për transmetuesin publik, kërkon mbikëqyrje të balancuar dhe përfaqësuese për Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Po ashtu, shpreh shqetësim për rritjen e dezinformimit mbi tensionet ndëretnike, që po përhapet nga aktorë të huaj, veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore, dhe kërkon reagim më të fortë institucional dhe përmirësim të edukimit mediatik.
Në një pjesë tjetër të raportit thuhet gjithashtu se, sipas vlerësimeve të përgjithshme, Kosova ka bërë përparim në reforma zgjedhore, qëndrueshmëri ekonomike dhe mbrojtjen e të drejtave themelore, por mbeten sfida në: reformën në drejtësi, lirinë e mediave, efikasitetin e administratës publike dhe digjitalizimin e shërbimeve publike. /Zëri