Njëri nga hartuesit e Kushtetutës: Dekreti i Presidentes, kushtetues
Njëri nga hartuesit e Kushtetutës, njëherësh profesor i së drejtës penale, Ismet Salihu, e ka quajtur kushtetues dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka vepruar mirë me vendosjen e masës pezulluese për të parandaluar pasojat.
“Unë mendoj se Gjykata Kushtetuese ka vepruar mirë me vendimin e saj, me të cilin pezullohet për një kohë të caktuar dekreti i presidentes, për shkak se kjo është çështje shumë e ndjeshme dhe shkakton pasoja të ndryshme. Gjatë kësaj kohe besoj se do të qartësohen dhe stabilizohen shumë gjëra. Neni 86, paragrafi 2, thotë se zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual. Me faktin se kjo nuk është bërë, presidentja e nxori dekretin e saj, me të cilin e shpërndau Kuvendin. Dekreti është kushtetues”, tha Salihu për rtv21.