Zgjedhjet e reja afër, Osmani fillon procedurën për emërimin e anëtarëve të KQZ-së, partitë edhe pesë ditë afat për propozime

Zgjedhjet e reja afër, Osmani fillon procedurën për emërimin e anëtarëve të KQZ-së, partitë edhe pesë ditë afat për propozime

Aktuale March 11, 2026 - 15:28

Vetëm edhe pesë ditë të tjera subjektet politike kanë afat për t’ia dërguar presidentes së Kosovës Vjosa Osmanit propozimet për anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Përbërja e re e KQZ-së pritet të reflektojë rezultatin e subjekteve politike nga zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025, shkruan gazeta Express.

Sipas këtyre rezultateve, 6 anëtarë pritet të emërohen nga radhët e subjekteve politike shqiptare: 2 nga Vetëvendosja, 2 nga PDK-ja dhe nga një anëtar për LDK-në dhe AAK-në. Katër anëtarë të tjerë do të emërohen nga radhët e komuniteteve pakicë.

Aktualisht, në KQZ, Vetëvendosja dhe PDK-ja përfaqësohen nga dy anëtarë, kurse LDK-ja dhe AAK-ja me nga një anëtar. Nga komunitetet Lista Serbe ka një përfaqësues, ndërkaq turqit, boshnjakët dhe romët gjithashtu nga një anëtar.

Më 9 mars 2026, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani u ka dërguar subjekteve politike kërkesat e veçanta nga të cilat ka kërkuar propozimet me shkrim të emrave të kandidatëve për anëtarë të KQZ-së.

Sipas paragrafit 6 të Nenit 61 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, ku flitet për mandatin dhe emërimin e anëtarëve të KQZ-së, subjektet politike duhet që brenda afatit prej 7 ditësh t’i dërgojnë propozimet e tyre. Pra, ky afat do të skadojë më 15 mars 2026.

Po sipas të njëjtit ligj dhe të njëjtit paragraf, emërimi i anëtarëve nga presidenti bëhet brenda 5 ditësh nga dërgimi i propozimeve. Pra, afati i fundit për emërimin e tyre është data 20 mars 2026.

Zgjedhjet e reja – DnV-ja me thirrje për emërimin e anëtarëve të rinj

Situata e re politike në vend, e krijuar pas dështimit të Kuvendit që deri më 5 mars të zgjedhë Presidentin e Kosovës dhe dekretit të presidentes aktuale, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës – me shumë gjasa pritet ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Në këto rrethana, rrjeti i organizatave që merren me monitorimin e zgjedhjeve në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV), më 7 mars ka kërkuar nga presidentja Osmani që të fillojë procedurën për përbërjen e re të KQZ-së.

“Në këtë moment, kur vendi po përballet me zhvillime që pritet të çojnë drejt një procesi të ri zgjedhor dhe kur 11 marsi – si afat ligjor për këtë procedurë është drejt përfundimit – përmbyllja e procesit të emërimit të përbërjes së re të KQZ-së bëhet edhe më e rëndësishme. Kjo sidomos për shkak se legjislacioni aktual nuk parasheh më vazhdimin automatik të mandatit të përbërjes ekzistuese të KQZ-së deri në emërimin e së resë – në rast të zgjedhjeve – siç ishte rregulluar me ligjin e mëparshëm”, thuhej në kërkesën e DnV-së.

Sipas DnV-së, “çdo proces i mundshëm zgjedhor duhet ta gjejë Kosovën me institucione zgjedhore të konsoliduara, funksionale dhe me mandat të qartë ligjor, në mënyrë që administrimi i zgjedhjeve të mos shoqërohet me dilema për legjitimitetin e tij”.

Emrat e përfolur për anëtarë të KQZ-së

Deri më tani, disa nga partitë politike kanë dërguar në Presidencë propozimet e tyre.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Alenca për Ardhmërinë e Kosovës kanë dërguar emrat e anëtarëve aktual, Sami Hamiti dhe Muharrem Nitaj, raporton Express.

Merret vesh se Vetëvendosja dhe PDK-ja ende nuk kanë propozuar zyrtarisht përfaqësuesit e tyre për KQZ.

Aktualisht, Vetëvendosje përfaqësohet nga Alban Krasniqi dhe Sami Kurteshi. Ky i fundit nuk ka të drejtë të ri-emërohet pasi që sipas ligjit për zgjedhjet “anëtarët e KQZ-së nuk mund të shërbejnë më shumë se 3 mandate të njëpasnjëshme”.

Kurse, PDK-ja përfaqësohet nga Ilir Gashi dhe Arianit Elshani. Ky i fundit, gjithashtu nuk mund të riemërohet për shkak të kufizimit të njëjtë ligjor.