OJQ-të nga veriu bojkotojnë takimin e MPB-së për Ligjin për të Huajt dhe Ligjin për Automjetet
Foto: Laura Hasani

OJQ-të nga veriu bojkotojnë takimin e MPB-së për Ligjin për të Huajt dhe Ligjin për Automjetet

Aktuale March 11, 2026 - 15:38

Organizatat e shoqërisë civile nga veriu i Kosovës kanë vendosur të mos marrin pjesë në takimin informues të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me zbatimin e Ligji për të Huajt dhe Ligji për Automjetet.

Sipas një deklarate të përbashkët të këtyre organizatave, ftesa që u është dërguar vetëm tri ditë para hyrjes në fuqi të ligjeve nuk përbën dialog, por përpjekje për të legjitimuar vendime që tashmë janë marrë.

“Refuzojmë të jemi bashkëpjesëmarrës në një proces që nuk është konsultativ, por i reduktuar në informim të thjeshtë për vendime të marra më herët. Ftesa për takim, e dërguar vetëm tre ditë para zbatimit të plotë të ligjit, nuk është thirrje për dialog, por përpjekje për legjitimimin e vendimeve të gatshme që do të rrezikojnë drejtpërdrejt të drejtat themelore të mijëra qytetarëve”, thuhet në reagim, transmeton Zeri.info.

Organizatat theksojnë se kanë shprehur disa herë gatishmërinë për të marrë pjesë në konsultime të hershme dhe kuptimplota, për të paralajmëruar për pasojat serioze që këto ligje, në formën aktuale, mund të kenë në jetën e përditshme të qytetarëve, si dhe për të ofruar zgjidhje konkrete. Megjithatë, sipas tyre, një proces i tillë konsultativ nuk është vendosur asnjëherë.

“Pjesëmarrja në një takim në rrethana të tilla do të nënkuptonte dhënie legjitimiteti për një proces që nuk është as transparent dhe as gjithëpërfshirës. Organizatat e shoqërisë civile nuk do të marrin pjesë në procese që shërbejnë vetëm për përmbushje formale, ndërkohë që po zbatohen ligje që në thelb thellojnë pasigurinë juridike dhe diskriminimin”, thuhet më tej në deklaratë.

Në reagim u bëhet thirrje institucioneve që fillimisht të shtyjnë zbatimin e këtyre ligjeve dhe më pas të nisin një proces real, transparent dhe gjithëpërfshirës konsultimi me komunitetin lokal, përpara ndryshimeve të nevojshme ligjore që do t’i përshtatnin ato me kontekstin lokal. /Zëri