Dimiqi kritikon Vuçiqin: Serbët e Kosovës u sollën në “kontejner” nga politika e Beogradit
Gazetari dhe analisti nga Beogradi, Radomir Dimiq, ka reaguar ashpër ndaj politikave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se vetë politika e Beogradit i ka sjellë serbët e Kosovës në situatën e sotme.
Në një reagim publik, Dimiqi tha se është paradoksale që Vuçiqi të takojë qytetarët në një “kontejner”, kur sipas tij pikërisht politika e tij i ka nxitur serbët të largohen nga institucionet e Kosovës.
“Vuçiqi do të shkojë personalisht në kontejner për të pritur serbët që hyjnë dhe dalin. Por pikërisht ai i solli në këtë situatë, kur i ftoi të largohen nga institucionet e Kosovës për të protestuar ndaj politikës së Albin Kurti”, ka shkruar Dimiqi.
Ai ka përmendur edhe marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe Ohër, duke thënë se përmes tyre Serbia ka pranuar tërheqjen nga institucionet në Kosovë.
Sipas analistit nga Beogradi, situata është përkeqësuar edhe pas ngjarjeve në Banjskë, ku pas incidentit shumë serbë nga veriu i Kosovës u larguan drejt Serbisë ose vendeve të tjera.
Dimiqi vlerëson se serbët e Kosovës janë përdorur për vite me radhë si instrument politik nga liderët në Beograd, duke përmendur se kjo politikë, sipas tij, ka nisur që nga koha e ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviqi.
“Serbët e Kosovës kanë qenë për një kohë të gjatë një mjet në duart e politikës serbe. Tragjedia e tyre shpesh është përdorur për qëllime politike”, ka theksuar ai.
Sipas Dimiqit, takimet dhe premtimet e reja nuk do ta ndryshojnë realitetin në terren, pasi shumë serbë në Kosovë nuk shohin perspektivë për të ardhmen e tyre.
Ai shton se pa një zgjidhje të qëndrueshme dhe pa perspektivë institucionale, ekziston rreziku që të vazhdojë largimi i serbëve nga Kosova.