Abdixhiku i kthen përgjigje Kurtit: Takohemi pas vendimit të Kushtetueses
Foto: Laura Hasani

Abdixhiku i kthen përgjigje Kurtit: Takohemi pas vendimit të Kushtetueses

Aktuale March 13, 2026 - 15:03

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për takim nga kryetari i Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit, por vetëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Abdixhiku tha se e ka falënderuar Kurtin për ftesën dhe e ka njoftuar se është i gatshëm për takim në ditën e parë pas shpalljes së verdiktit nga Kushtetuesja.

Sipas tij, duke qenë se çështja e zgjedhjes së presidentit është tashmë në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, proceset politike duhet të ndalen përkohësisht derisa institucioni më i lartë për interpretimin e Kushtetutës të japë vendimin e tij.

“Koha jonë politike ndalon përkohësisht, ndërsa koha e dëgjimit kushtetues merr fjalën në pavarësinë e saj. Duke respektuar këtë rend, pa procese të tjera politike paralele, i bëjmë nder jo vetëm vetes, por edhe Republikës dhe institucioneve”, ka deklaruar ai, transmeton Zeri.info.

Abdixhiku theksoi se verdikti i Gjykatës Kushtetuese duhet pritur me respekt të plotë institucional dhe me qetësi politike, duke shtuar se një orë pas shpalljes së vendimit mund të zhvillohet takimi mes palëve.

Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti, sot tha se do t’i nis ftesa për liderët e partive opozitare për një takim javën e ardhshme, ndërsa u shpreh se është kundër zgjedhjeve të reja.

Shkrimi i plotë:

Kam falënderuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje z. Kurti për ftesën për takim për çështjen e Presidentit.

E kam njoftuar se do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese në ditën e parë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese.

Duke qenë se çështja e zgjedhjes së Presidentit është tashmë në shqyrtim të Gjykatës Kushtetuese, duhet të kuptojmë se koha jonë politike ndalon përkohësisht, ndërsa koha e dëgjimit kushtetues merr fjalën në pavarësinë e saj. Duke respektuar këtë rend, pa procese të tjera politike paralele, i bëjmë nder jo vetëm vetes, por edhe Republikës dhe institucioneve që janë ndërtuar me shumë mund.

Verdikti i Gjykatës duhet pritur me respekt të plotë institucional dhe me qetësi politike. Një orë pas verdiktit, mund të takohemi sërish.