Guxo: Pretendimet për dorëheqje në masë në Deçan e Pejë, tendencioze
Foto: Laura Hasani

Guxo: Pretendimet për dorëheqje në masë në Deçan e Pejë, tendencioze

Aktuale March 13, 2026 - 20:56

Të pavërteta e tendencioze i ka quajtur partia Guxo pretendimet për dorëheqje në masë nga strukturat e tyre në Deçan dhe Pejë.

“Këto spekulime nuk reflektojnë realitetin dhe synim të vetëm kanë të krijojnë një perceptim të rremë në opinionin publik”, thotë Guxo në reagimin publik.

Spas kësaj partie që është në bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje, tre individët nga Peja, të cilët thonë se po përmenden në këto pretendime, kanë paraqitur dorëheqje plot shtatë herë deri më tani dhe ka më shumë se një vjet e gjysmë që janë larguar nga çdo aktivitet i partisë Guxo.

Po ashtu, thotë Guxo, publiku duhet ta dijë se në Deçan dy anëtarë të kësaj dege janë tërhequr nga Guxo. “Kjo është e gjitha dhe faktet jo vetëm se janë kokëforta, por ato mund të vërtetohen lehtë”, thuhet në reagim.

Guxo ka paralajmëruar se gjatë ditëve në vijim do të dalin me njoftime më të hollësishme për të gjitha këto zhvillime dhe thonë se do ta demantojmë çdo dezinformatë që po qarkullon.

“Të hënën, më 16 mars, Kryetarja e Partisë GUXO do t’i shpalosë para opinionit publik qëndrimet tona të plota lidhur me këto zhvillime dhe me përpjekjet për të deformuar realitetin politik”, thotë Guxo e cila si bashkëkryetar ka Donika Gërvallen e Faton Pecin.