Sorensen në Kosovë, takohet me Kurtin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të presë në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen. Takimi do të zhvillohet në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës duke filluar nga ora 08:30, ndërsa pas përfundimit të tij është paralajmëruar edhe një deklarim për media.
Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi për media nga Zyra e Kryeministrit, ku thuhet se takimi mes Kurtit dhe Sorensen do të fokusohet në çështje që lidhen me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe zhvillimet e fundit në vend.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen. Pas takimit do të ketë deklarim për media”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Ndërkohë, jo zyrtarisht mësohet se vizita e përfaqësuesit evropian mund të lidhet edhe me diskutimet rreth zbatimit të Ligjit për të Huajt në Kosovë.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ligji për të Huajt do të fillojë të zbatohet nga 15 marsi 2026, ndërsa faza e zbatimit të plotë të ligjeve është paraparë të nisë të hënën, më 16 mars.
Në bazë të këtyre rregullave të reja, të gjithë personat që nuk posedojnë dokumente të Kosovës do të duhet të pajisen me leje qëndrimi. Po ashtu, automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë për më shumë se tre muaj, përveç rasteve kur kanë autorizim të veçantë.
Zbatimi i plotë i ligjeve për të huajt dhe për automjetet është kundërshtuar nga pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë, përfaqësuesit e tyre politikë dhe disa organizata të shoqërisë civile.
Ata kanë thënë se këto masa mund të kenë ndikim negativ te komunitetet pakicë, si dhe te sektorët e shëndetësisë dhe arsimit në zonat me shumicë serbe, të cilat funksionojnë kryesisht në kuadër të sistemit të Serbisë.
Në këtë kontekst, takimi mes kryeministrit Kurti dhe përfaqësuesit të BE-së pritet të trajtojë edhe ndikimin e këtyre zhvillimeve në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.