Rreziku nga deepfake dhe propaganda: Ekspertët kërkojnë vigjilencë dhe strategji kundër dezinformimit
Inteligjenca Artificiale (AI) dhe teknologjia kanë marrë hov të madh në krijimin e përmbajtjeve për të gjitha audiencat dhe kanë lehtësuar shumë jetën, mirëpo studiuesit e medieve për Ekonomia Online kanë theksuar se duhet mbrojtur nga lajmet e rreme dhe të gjykohet me një sy kritik përmbajtjet që marrin.
Dren Gërguri, profesori universitar në një intervistë me Ekonomia Online thotë se njëra prej sfidave që përballet çdo shoqëri është identifikimi i lajmeve të rreme.
“Besoj se kjo është një prej sfidave kryesore me të cilat përballet çdo shoqëri në anë e mbanë botës dhe është vështirë ta gjejmë një formulë të themi se kjo është zgjidhja më e mirë që secili prej nesh të mbrohet nga çfarëdo lloj manipulimi që ai ose ajo i ekspozohet. Dhe tash kur ato janë të gjeneruara edhe me inteligjencën artificiale, dhe kur marrim për bazë sa shumë është përsosur teknologjia e deepfakes, fjala vjen, është shumë e vështirë që qytetarët sot të identifikojnë nëse një video është e gjeneruar me AI apo jo. Ka disa vegla të cilat qarkullojnë dhe e ndihmojnë që ne të shohim nëse është e gjeneruar me AI apo jo. Megjithatë, ato vegla nuk janë 100% të sakta. Ka raste kur edhe pse një fotografi është e gjeneruar me inteligjencë artificiale, vegla thotë se është humane, është njerëzore. Dhe kjo na tregon se ne nuk mund të mbështetemi plotësisht në këto vegla, por duhet që vazhdimisht të kemi një gjykim kritik ndaj përmbajtjeve që ne i shohim, gjithmonë duke e menduar edhe atë se sa mund të jetë e vërtetë ajo se çka ne e shohim”, tha Gërguri për EO.
Ndërkaq i pyetur se a mund të zëvendësohet gazetari nga inteligjenca artificiale, Gërguri u shpreh se jo nuk mund të ndodh.
“AI nuk mund ta zëvendësojë punën e gazetarit për shumë arsye. Dhe çështja e terrenit është e para, pra AI nuk mund të shkojë në terren për ta intervistuar dikë tjetër. Por ajo çka është e rëndësishme është që faktikisht modelet e mëdha gjuhësore nuk janë të përsosura deri në atë nivel saqë edhe gazetarët të mbështeten plotësisht në tekstin që gjenerohet nga këto modele. Edhe me studentë ne i ushtrojmë modelet e ndryshme dhe e shohim se si faktikisht nga shënimet që vetë studentët i marrin nga një terren, kur kthehen dhe i përdorin modelet e ndryshme, tekstet janë të ndryshme por edhe kanë shumë probleme brenda. Shtohen deklarata, fjala vjen, shtohen fjalë te deklarata, diçka që nga gazetaria s’është e lejuar. Dhe kur t’i sheh krejt ato probleme që po krijohen nga gjenerimi i përmbajtjes duke përdorë inteligjencën artificiale, përfundimi është që është më mirë ta shkruash vetë sesa ta rishkruash një tekst që është shkruar nga inteligjenca artificiale”, theksoi Gërguri.
Ai tha se inteligjenca artificiale mund të shihet si një ndihmesë për profesionin e gazetarit, për shembull për tituj ose sinonime të fjalëve.
“Por mund të jetë ndihmë e madhe nëse ne kemi nevojë për një sinonim, përderisa ne shkruajmë një tekst si gazetar. Nëse ne kemi nevojë për më shumë informacion për një institucion dhe tashmë përderisa shkon ndoshta në adresë zyrtare dhe për të kërkuar në disa burime një informacion, mund ta gjesh më shpejt te ndonjëri prej modeleve të mëdha gjuhësore të inteligjencës artificiale. Ideja për titullin mund të jetë diçka… thjesht ndoshta ky diskutimi që gazetarët e kanë njëri me tjetrin lidhur me temën, lidhur me artikullin, aty mund të jetë një diskutim që mund ta kesh me inteligjencën artificiale. Por kjo është larg nga ajo se mund ta zëvendësojë punën e gazetarit”, tha Gërguri.
Ndërsa, profesori universitar dhe drejtori i “Octopus”, Arben Fetoshi kërkon themelimin e Qendrës Kombëtare për Luftimin e Dezinformimit për neutralizimin e efekteve të propagandës.
“Në këtë pikëpamje, ne vazhdimisht kemi lobuar që institucionet e Kosovës të angazhohen, të mobilizohen dhe t’i shtojnë përpjekjet për një neutralizim sa më të madh të efekteve të propagandës serbe, qoftë nëpërmjet idesë që Kosova të themelojë Qendrën Kombëtare për Luftimin e Dezinformimit, dhe qoftë nëpërmjet forcimit të vazhdueshëm të kapaciteteve të sigurisë kibernetike, për shkak se në kontekstin e kërcënimeve hibride që na vijnë nga Serbia, gjithmonë duhet të kemi parasysh edhe qëllimet e saj që të projektojë sulme ndaj infrastrukturës kritike në Kosovë, për shkak të ndjeshmërisë më të madhe dhe për shkak të rrezikut që ato të kthehen në efekte më të mëdha destabilizuese, siç ka qenë, ta zëmë, i projektuar sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në vitin 2024”, tha Fetoshi.