Hoxhaj: Kur bota përballet me sfida të mëdha, Qeveria e Kosovës po luan me shtetin
Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj është shprehur se Kosova po shndërrohet nga një vend me më pak rend në një vend pa rend fare, siç tha ai, duke rrezikuar të kaplohet nga kaosi dhe anarkia.
Hoxhaj përmes një postimi në Facebook tha se kur bota përballet me sfida të mëdha, sipas tij, Qeveria e Kosovës po luan me shtetin.
“Nëse dikush ka menduar se rënia në kaos nuk ndodh menjëherë, e ka pasur gabim. Vitin e kaluar e mbyllëm pa një Kuvend me funksion të plotë dhe pa një Qeveri me mandat demokratik. Pas dy javësh rrezikojmë të mbetemi edhe pa një President legjitim. Periudha kur pas zgjedhjeve ndërtoheshin shpejt institucionet tashmë i përket historisë. Kosova po shndërrohet nga një vend me më pak rend në një vend pa rend fare, duke rrezikuar të kaplohet nga kaosi dhe anarkia”.
“Në një moment kur bota përballet me sfida të mëdha që përcaktojnë fatin e kombeve, qeveria e Kosovës po luan me shtetin, duke sakrifikuar interesin kombëtar për ego të vogla politike dhe ambicie personale. Kjo nuk është më thjesht krizë politike, por një rrëshqitje e rrezikshme që po e dobëson Kosovën nga brenda dhe jashtë”, tha ai.
Hoxhaj shkroi gjithashtu se nëse kjo rrugë vazhdon, Kosova rrezikon të mbetet jashtë skenës ndërkombëtare.
“Historia nuk fal kur një komb humb shansin për të ecur përpara. Nëse kjo rrugë vazhdon, Kosova rrezikon të mbetet jashtë skenës ndërkombëtare, të humbasë vëmendjen e aleatëve dhe mundësitë strategjike për zhvillim dhe integrim. Një shtet nuk mund të mbijetojë pa institucione funksionale, pa rend politik dhe pa besim tek aleatët e tij”, ka shkruar Hoxhaj.