Ambasada e Gjermanisë: Institucionet të respektojnë vendimin e Kushtetueses, sapo ai të merret
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka kërkuar nga përfaqësuesit e institucioneve që ta respektojnë plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sapo ai të merret. Ambasada nuk i ka komentuar pretendimet e zyrtarëve të LVV-së se ambasadorët me anë të vizitave të tyre në Kushtetuese po ndërhyjnë në këtë institucion.
“Ambasada Gjermane nuk komenton proceset aktuale të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, ne presim që të gjitha institucionet ta respektojnë plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sapo ai të merret”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës për RTV21.
Ky qëndrim i Ambasadës vjen në një moment kur zyrtarët e LVV-së kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë në favor të kërkesës së tyre që dekreti i presidentes Vjosa Osmani të shpallet kundërkushtetues.
Ndërkohë, sipas burimeve të këtij mediumi, Gjykata Kushtetuese këtë të hënë nis shqyrtimin e dekretit të presidentes Osmani.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë pezulluese sa i përket dekretit të presidentes Osmani dhe punës në Kuvend deri më 31 mars.