Avokati i Rozeta Hajdarit: S’kemi pranuar vendim për konfirmim aktakuze
Avokati i ish-ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, Florent Latifaj, ka thënë se ende nuk kanë marrë njoftim zyrtar të gjykatës lidhur me kërkesën e tyre për hedhjen e aktakuzës në çështjen e Rezervave Shtetërore.
Ndërkaq, sipas një vendimi që po qarkullon sot nëpër portale, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Hajdarit.
Sipas dokumentit të publikuar nga mediat, aktvendimi është nxjerrë më 13 mars nga një trup gjykues i Departamentit Special të Gjykatës, i cili ka refuzuar kërkesën e Hajdarit për hedhjen e aktakuzës, duke e vlerësuar si të pabazuar argumentin e mbrojtjes.
Avokati Latifaj thotë se i ka parë shkrimet në media për konfirmim të aktakuzës, porse si palë ende nuk janë njoftuar nga gjykata.
“Sipas medieve po, por ne nuk kemi pranuar asnjë vendim nga gjykata. Për çudi, vendimet së pari po dalin në portale, e pastaj po na dërgohen neve si palë. Në Kosovë gjithçka është e mundur”, tha Latifaj në një prononcim për RTKlive.
Ai shtoi se, në rast se aktakuza konfirmohet përmes njoftimit zyrtar, pala mbrojtëse do të parashtrojë ankesë në Gjykatën e Apelit.
Sipas Prokurorisë Speciale, ish-ministrja Hajdari akuzohet se ka shkaktuar një dëm prej afërsisht tre milionë eurosh për buxhetin e shtetit.
Ajo akuzohet për kryerjen e dy veprave penale: "Keqpërdorim i detyrës zyrtare" dhe "zbulim i fshehtësisë zyrtare".
Në të njëjtin rast, Prokuroria Speciale i ka akuzuar edhe tre persona të tjerë: dy zyrtarë të MINT-it, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica, si dhe afaristin Ridvan Muharremi.