Ministria e Punës: Rasti i fëmijës 5-vjeçar nga Lipjani është tronditës

Ministria e Punës: Rasti i fëmijës 5-vjeçar nga Lipjani është tronditës

Aktuale March 17, 2026 - 19:48

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka reaguar lidhur me rastin e rëndë të dyshuar të keqtrajtimit të një fëmije 5-vjeçar nga Lipjani, duke e cilësuar atë si tronditës dhe thellësisht të dhimbshëm.

Në reagimin publik, Ministria thekson se asnjë fëmijë nuk duhet të përjetojë dhunë, frikë apo neglizhencë në familje, duke nënvizuar se dhuna ndaj fëmijëve është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet në asnjë rrethanë.

Sipas njoftimit, fëmija aktualisht ndodhet në trajtim në Qendra Klinike Universitare e Kosovës, ku po merr kujdesin e nevojshëm nga ekipet mjekësore.

Ministria bën të ditur se menjëherë pas njoftimit për rastin, institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë veprime konkrete për mbrojtjen e fëmijëve. Qendra për Punë Sociale në Lipjan, në koordinim me Departamentin e Shërbimeve Sociale në Ministri, ka ndërhyrë duke vendosur në strehim dhe mbrojtje gjashtë fëmijët e tjerë të familjes, në një ambient të sigurt.

Ministri Fatmir Hoti ka zhvilluar komunikim edhe me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, me të cilin është koordinuar për trajtimin e rastit dhe masat e ndërmarra për mbrojtjen sociale dhe ligjore të fëmijëve.

Po ashtu, Ministria ka kërkuar nga Inspektorati për Shërbimet Sociale dhe Familjare që të nisë urgjentisht hetim institucional lidhur me trajtimin e këtij rasti nga Qendra për Punë Sociale në Lipjan, për të verifikuar nëse janë zbatuar të gjitha obligimet ligjore dhe procedurat për mbrojtjen e fëmijëve, si dhe nëse ka pasur mundësi për parandalim.

Në fund, Ministria ka bërë të ditur se do të vazhdojë komunikimin e rregullt me institucionet përkatëse për të garantuar mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve.