Ambasada e Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, me njoftim të rëndësishëm
Ambasada e Republikës së Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe ka dalë me një njoftim të rëndësishëm për të gjithë shtetasit kosovarë që ndodhen në këtë shtet, si vizitorë ose rezidentë, duke marrë parasysh situatën e krijuar pas sulmeve të fundit të Iranit.
Në njoftim theksohet se në përputhje me legjislacionin dhe rregullat e brendshme në fuqi në Emiratet e Bashkuara Arabe ndalohet rreptësisht fotografimi, incizimi ose shpërndarja e pamjeve dhe informacioneve nga vendet ku ndodhin incidente të lidhura me raketa ose dronë.
Gjithashtu, qytetarëve u ndalohet publikimi i vendndodhjeve të këtyre incidenteve në rrjete sociale apo platforma të tjera.
“Autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe zbatojnë masa të rrepta ligjore ndaj çdo shkeljeje, përfshirë: gjoba të larta financiare, dënime me burg, konfiskim të pajisjeve elektronike, si dhe deportim të shoqëruar me ndalim të rikthimit në vend”, thuhet në njoftim.
Ambasada u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të respektojnë me përpikëri ligjet dhe rregullat në fuqi dhe të kontribuojnë në ruajtjen e sigurisë dhe rendit publik në vendin ku jetojnë dhe veprojnë.
