Specialja ia heq kufizimet e vizitave te Thaçi një personi, i lë në fuqi për dhjetë të tjerët
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë është vendosur që njërit prej 11 personave që i është ndaluar vizita pa kufizime tek ish-presidenti Hashim Thaçi, t’i hiqet kjo masë. Ndërsa kufizimet për vizitorët e tjerë mbeten në fuqi.
Kjo u vendos nga gjyqtari i vetëm në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, më 16 janar 2026, por që u bë publike dy muaj pas, pra saktësisht më 16 mars 2026, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Personit të cilit iu hoqën kufizimet, më parë kishte mundësinë ta vizitonte Thaçin, por nën monitorim të rreptë.
Sipas vendimit, mbrojtja e Thaçit argumentoi se kufizimet nuk janë më të nevojshme dhe as proporcionale. Ajo theksoi se faza e paraqitjes së provave në rastin për krime lufte ka përfunduar dhe se ka ndryshuar rrjedhimisht rrethana që vizitorët rrezikohen që të nxiten që të ndikojnë në dëshminë e dëshmitarëve në këtë çështje.
Mbrojtja gjithashtu theksoi se që nga vendosja e kufizimeve në dhjetor 2023 nuk është raportuar asnjë incident gjatë vizitave në paraburgim dhe Thaçi i ka respektuar të gjitha kushtet e vendosura.
“Mbrojtja e Thaçit argumenton se çdo rrezik i mundshëm për publikimin e ardhshëm të informacionit konfidencial ose për pengimin e ecurisë së procedurave të Dhomave të Specializuara “është pothuajse inekzistent për sa kohë që Thaçi mbetet i ndaluar nën regjimin e rreptë të vendosur nga Trupi Gjykues II”, thuhet në vendim.
Sipas vendimit, gjyqtari i vetëm Christoph Gosnell ka thënë se ky person emri i të cilit është i redaktuar, ndryshe nga personat e tjerë që në mesin e shumë kufizimeve iu janë ndaluar edhe vizitat, ky ka marrë pjesë në vizita të monitoruara në mënyrë aktive me Thaçin pas ngjarjeve që përbëjnë objektin e këtij rasti.
Aty thuhet se ky person ka marrë pjesë në jo më pak se shtatë vizita të tilla, pa u konstatuar nga Regjistruesja ndonjë përpjekje për të komunikuar informacion konfidencial.
“Për më tepër, transkripti i vizitës joprivilegjuese gjatë së cilës z. Thaçi është konstatuar se dyshohet se ka zbuluar informacion konfidencial nuk tregon ndonjë qëllim nga ana e [REDAKTUAR] për të ndërmarrë ndonjë hap mbi bazën e këtij informacioni konfidencial, as ndonjë nxitje nga ana e tij që ai të zbulohej”, thuhet në vendim.
Megjithatë, gjyqtari vlerësoi se për shumicën e vizitorëve të kufizuar, ndalimi i vizitave jo-privilegjuese mbetet i nevojshëm dhe proporcional. Sipas vendimit, këta persona ishin të pranishëm ose të përfshirë në vizita gjatë të cilave dyshohet se u ndanë informacione konfidenciale për dëshmitarët ose u dhanë udhëzime lidhur me dëshmitë.
Gjykata theksoi se kufizimet synojnë të parandalojnë zbulimin e mëtejshëm të informacionit konfidencial dhe të mbrojnë sigurinë e dëshmitarëve, si dhe integritetin e procesit gjyqësor.
Në përfundim, Specialja vendosi të heq menjëherë ndalimin e vizitave joprivilegjuese për këtë person, ndërsa ndalimi për dhjetë vizitorët e tjerë mbetet në fuqi.
Gjykatësi gjithashtu theksoi se këto masa do të rishikohen sërish në një fazë të mëvonshme të procesit gjyqësor ose nëse paraqiten rrethana të reja që mund të ndikojnë në kushtet e paraburgimit.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka mbyllur paraqitjen e provave të saj në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, në rastin lidhur me administrimin e drejtësisë.
Ndryshe, gjyqtari i vetëm në këtë çështje gjyqësore, Christoph Gosnell ka vendosur 23 marsin 2026 si datë që mbrojtja mund të dorëzojë mocionet për rrëzimin e akuzave. Ndërsa, kundërpërgjigjet e saj, Prokuroria duhet t’i dorëzojë deri më 25 mars 2026.
Varësisht prej vendimeve të gjyqtarit në mocionet e mbrojtjes për rrëzimin e akuzave, mbrojtja është obliguar që të tregojë në rast se do paraqesin prova. Dhe nëse po, 7 prill është caktuar si datë për deklaratat hyrëse të mbrojtjes, e që më pas do të dëgjohen dëshmitarët e tyre, proces ky i planifikuar të zgjasë deri më 24 prill 2026.
Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.
Po atë ditë (27 shkurt 2026), nisi dëshminë edhe dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore, i cili ishte me masa mbrojtëse. Dëshmia e tij përfundoi më 2 mars 2026.
Më 3 dhe 4 mars 2026 dëshmoi dëshmitari i dytë Koen Herlaar- ekspert i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës. Po më 4 mars nisi dëshminë dëshmitari i tretë, Chrisopher Kelly - hetues i forenzikës digjitale. Ky dëshmitar e përfundoi dëshminë më 5 mars.
Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.
Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DHSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.
Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DHSK-së.
Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.
Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Në këtë rast, Prokuroria ka dorëzuar dosjen paraprake dhe mund ta gjeni KËTU.
Po ashtu, dosjen e tij për këtë fazë të procedurës e ka dorëzuar edhe Fadil Fazliu, të cilën mund ta gjeni KËTU. /BetimipërDrejtësi