Konjufca shpreh ngushëllime për vdekjen e kosovarëve në Vjenë: Ishin shtylla e Kosovës
Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka shprehur ngushëllime familjarëve të tre qytetarëve të Kosovës që humbën jetën në vendin e tyre të punës në Vjenë të Austrisë.
Konjufca ka thënë se ministria përmes ambasadës së Kosovës në Vjenë, është duke vazhduar të jetë në koordinim me familjet dhe autoritetet përkatëse për të siguruar mbështetjen për të lehtësuar çdo procedurë.
“Asllan Musliu, Istref Zekaj dhe Pajtim Bajrami ishin pjesë e diasporës sonë — një shtyllë e pazëvendësueshme e Kosovës. Për dekada, njerëzit tanë jashtë vendit kanë mbajtur gjallë lidhjen me atdheun, kanë mbështetur familjet e tyre, kanë kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit, dhe kanë qenë zë i Kosovës kudo në botë. Humbja e tyre nuk është vetëm humbje për familjet, por edhe për gjithë shoqërinë tonë që në kohët më të vështira ka gjetur mbështetjen kryesore në përkushtimin dhe sakrificën e bashkatdhetarëve tanë”, ka shkruar Konjufca.