Qeveria ndan mbi 385 mijë euro mbështetje financiare për 37 specializantë nga Lugina dhe Mali i Zi
Foto: Laura Hasani

Qeveria ndan mbi 385 mijë euro mbështetje financiare për 37 specializantë nga Lugina dhe Mali i Zi

Aktuale March 19, 2026 - 12:29

Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për pagesën e 37 specializantëve me vetëfinancim nga Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe vende të tjera, nga kategoria ekonomike “Subvencione dhe transfere” (MSH), në mbledhjen e mbajtur të enjten.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se vlera e mbështetjes arrin mbi 385 mijë euro për vitin 2026 dhe se kjo mbështetje bazohet në udhëzimin administrativ për shkollim specialistik.

“Në vlerë prej 385 mijë e 654 euro e 50 centë, prej datës 1 janar 2026 deri 31 dhjetor 2026. Sipas udhëzimit administrativ për shkollim specialistik, është mundësuar që shkollimi specialistik për shtetasit e huaj, pjesëtarët e komunitetit shqiptar nga vendet fqinje dhe pjesëtarët e diasporës specializimi mund të lejohet me vendim të ministrit të shëndetësisë në bazë të rekomandimit dhe kuotës së përcaktuar nga bordi për shkollimin specialistik”, tha ministri.