Dogana e Kosovës në 10 top-vendet më të suksesshme në operacionin “STOP IV”
Dogana e Kosovës është renditur ndër 10 vendet më të suksesshme në operacionin ndërkombëtar “STOP IV”, duke u pozicionuar e 7-ta nga 119 shtete pjesëmarrëse në luftën kundër mallrave të falsifikuara.
Ky vlerësim u bë i ditur gjatë pjesëmarrjes së Doganës së Kosovës në sesionin e 46-të të Komitetit të Zbatimit të Organizata Botërore e Doganave, i cili po mbahet në Bruksel.
Në këtë ngjarje ndërkombëtare, që mbledh përfaqësues të administratave doganore nga e gjithë bota, u diskutuan prioritetet strategjike dhe operacionale në fushën e zbatimit doganor, përfshirë përmirësimin e kornizës rregullative, përdorimin e teknologjisë dhe forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit ndërkufitar dhe kontrabandës.
Sesioni u hap nga sekretari i përgjithshëm i organizatës, Ian Saunders dhe kryesuesi i Këshillit, Bashir Adeëale Adeniyi.
Sipas njoftimit, ky komitet, i themeluar në vitin 1983, mbetet një nga organet kryesore të Organizata Botërore e Doganave, ndërsa këtë vit punimet po zhvillohen në një format të ristrukturuar për të rritur efikasitetin dhe ndikimin në politikat globale doganore.
Pjesëmarrja dhe rezultatet e arritura në operacionin “STOP IV” konsiderohen si dëshmi e kapaciteteve profesionale dhe përkushtimit të Doganës së Kosovës në zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e tregut nga aktivitetet e paligjshme.
Nga Dogana theksohet se angazhimi në këto mekanizma ndërkombëtarë konfirmon rolin e saj si partnere e besueshme në kuadër të Organizata Botërore e Doganave, duke kontribuar në avancimin e standardeve dhe bashkëpunimit global kundër krimit ekonomik. /Zëri