Hapet ekspozita për masakrat e luftës në Kosovë, Haxhiu: Krimet nuk do të harrohen kurrë
Organizatat INTEGRA dhe Admovere kanë hapur ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, e cila sjell dëshmi të rënda nga periudha e luftës në vend.
Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila theksoi se krimet e kryera gjatë luftës nuk do të harrohen asnjëherë.
Ajo u shpreh se ekspozita paraqet një rrugëtim të vështirë emocional, por të domosdoshëm për të kuptuar dhimbjen dhe padrejtësitë e përjetuara nga qytetarët e Kosovës.
“Nuk është e lehtë të ecësh mes këtyre dëshmive, por është e domosdoshme për të kuptuar thellësinë e dhimbjes. Çdo panel rrëfen krime të rënda ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë, të kryera nga forcat serbe, duke sjellë para nesh një të vërtetë që nuk mund të fshihet apo të mohohet,” ka deklaruar ajo.
Haxhiu shtoi se Republika e Kosovës do të vazhdojë të kujtojë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e kryer në vend, duke nderuar viktimat dhe sakrificën për liri.
Ekspozita synon të ruajë kujtesën kolektive dhe të shërbejë si thirrje për drejtësi dhe mos-harrim. /Zëri