Hapet zyra rajonale e RTK-së në Pejë
Me një ceremoni të veçantë Radio Televizioni i Kosovës sot ka hapur zyrën rajonale në Pejë.
Ky projekt do të realizohet fal ndihmës së Agjencisë japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, JICA, të cilët në vazhdimësi kanë mbështetur zhvillimin e transmetuesit publik.
Prerja simbolike e shiritit u bë nga drejtori i Televizioni,t Rilind Gërvalla, ud. Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Hysen Hundozi, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxhiri dhe përfaqësuesi i JICA-s.
Drejtori i Televizionit të Kosovës, Rilind Gërvalla, tha se ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm në fuqizimin e pranisë së mediumit publik në rajonin e Dukagjinit.
“Faleminderit JICA-s dhe fondacionit NHK për donacionin dhe mbështetjen që kanë dhënë. Gjithashtu, dëshirojmë ta falënderojmë Komunën e Pejës për dhënien e kësaj hapësire në shfrytëzim afatgjatë, e cila do të shërbejë si zyrë për tërë zonën e Dukagjinit, pra për gjashtë komuna: Pejën, Gjakovën, Klinën, Deçanin, Istogun dhe Junikun. Më herët, të gjitha këto komuna i kemi mbuluar nga zyra qendrore në Prishtinë ”, deklaroi Gërvalla.
Ud. Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Hysen Hundozi, e cilësoi hapjen e zyrës rajonale në Pejë si një ditë të rëndësishme për transmetuesin publik dhe qytetarët e Pejës e Dukagjinit, duke theksuar se kjo është zyra e tretë rajonale në nivel vendi dhe e dyta në rajonin e Dukagjinit.
“Sot është një ditë e rëndësishme për RTK-në dhe qytetarët e Pejës e të gjithë Dukagjinit.
"Zyra rajonale e RTK-së në Pejë është zyra e tretë rajonale në nivel vendi dhe e dyta në rajonin e Dukagjinit. Kjo dëshmon rëndësinë që ne në RTK i kushtojmë pranisë lokale në të gjitha pjesët e territorit të vendit tonë. Normalisht, një gjë e tillë nuk do të ishte e mundur pa përkrahjen e partnerëve tanë vendorë e ndërkombëtarë. Në këtë rast, falënderoj JICA-n dhe Komunën e Pejës. Falënderojmë popullin japonez që, falë tyre, kjo zyrë ka arritur të pajiset me teknologjinë më të fundit televizive, kurse Komunën e Pejës e falënderojmë për sigurimin e hapësirës pa pagesë për RTK-në", deklaroi Hundozi.