Kurti: Masakra e Kotlinës mbetet plagë e hapur pa drejtësi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar martirët e Masakrës së Kotlinës në 27-vjetorin e saj, duke rikujtuar krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës.
Kurti përmes një postimi në rrjetin social Facebook theksoi se më 24 mars 1999, forcat serbe rrethuan fshatin Kotlinë me tanke dhe automjete të blinduara, ndërsa pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë serbe mblodhën me forcë banorët, duke ushtruar dhunë dhe keqtrajtim ndaj tyre.
Sipas Kurtit, pas torturave, u vranë mizorisht tre të moshuar, trupat e të cilëve më pas u dogjën. Gratë, fëmijët dhe të moshuarit u dëbuan me dhunë nga fshati, ndërsa burrat u ndanë dhe u torturuan.
Ai shtoi se fshati u shkatërrua pothuajse tërësisht, ndërsa 35 të rinj u morën peng dhe u dërguan drejt maleve, ku 22 prej tyre u vranë.
Trupat e viktimave u hodhën në puse dhe u mbuluan me eksploziv, në përpjekje për të fshehur krimin.
Kurti rikujtoi se gjashtë muaj më vonë, ekipe të Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dokumentuan varreza masive, duke siguruar prova për krimet.
Ai theksoi se, ndonëse ish-gjenerali serb Vllastimir Gjorgjeviq është dënuar nga drejtësia ndërkombëtare, autorët e drejtpërdrejtë ende nuk janë përballur me drejtësinë.
Në fund, Kurti bëri thirrje për drejtësi, duke nderuar të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës. /Zëri