Mblidhen akterët e sistemit të drejtësisë për finalizimin e Reformës

Mblidhen akterët e sistemit të drejtësisë për finalizimin e Reformës

Aktuale March 24, 2026 - 19:21

Sot, Zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni, ka hapur punëtorinë treditore për pakon ligjore që rrjedh nga Deklarata e Përbashkët e Zotimit, me pjesëmarrje të përfaqësuesve nga Ministria e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Akademia e Drejtësisë, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, Policia e Kosovës si dhe përfaqësuesve të partnerëve ndërkombëtarë dhe organizatave të shoqërisë civile.

Në fjalën e tij hyrëse, Zëvendësministri Nimoni theksoi rëndësinë e kësaj punëtorie:

“Krahas nismave të tjera reformuese, këto projektligje kompletojnë tutje ndërmarrjen e gjerë për reformën e plotë të sistemit të drejtësisë, duke krijuar dhe forcuar mekanizmat e kontrollit të integritetit, vlerësimit të performancës, sistemit të disiplinimit për gjyqtarë dhe prokurorë, por gjithashtu standardizojnë dhe avancojnë rolin e Akademisë së Drejtësisë dhe programeve trajnuese për gjyqtarë dhe prokurorë”, tha Zëvendësministri Nimoni.

Tutje, Zëvendësministri Nimoni shtoi se miratimi dhe zbatimi i këtyre projektligjeve përbën një detyrim të rëndësishëm në kuadër të instrumentit të Planit të Rritjes, prej të cilës parashihet mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian.

Në përmbyllje, Zëvendësministri u bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve që kjo punëtori të shërbejë si platformë konstruktive për diskutim dhe harmonizim të qëndrimeve, me objektiva të qarta.

“Besoj se të gjithë pajtohemi dhe do të ishte e pafalshme për neve që kemi përgjegjësi zhvillimin dhe forcimin e sistemit tonë të drejtësisë, që në të ardhmen të kemi gjyqtarë dhe prokurorë të cilët kanë probleme me integritetin dhe janë jo kompetent e jo produktiv, si dhe të kemi mekanizma që janë jo efektiv dhe jo llogaridhënës”, përfundoi zëvendësministri Nimoni. /rtk