DASH-i pasi i vizitoi Sorenseni: Dialogu i BE-së kanali i autorizuar për progres në normalizim, përgëzojmë palët për marrëveshjen

DASH-i pasi i vizitoi Sorenseni: Dialogu i BE-së kanali i autorizuar për progres në normalizim, përgëzojmë palët për marrëveshjen

Aktuale March 25, 2026 - 10:12

Pas vizitës që më 21 mars 2026 kishte pasur në Washington emisari i BE-së për Dialogun Kosovë - Serbi, Peter Sorensen, dhe pas takimit me zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan, kishte njoftuar se BE-ja dhe SHBA-ja janë në një linjë sa i përket rrugës përpara në procesin e negociatave.

Lidhur me këtë takim në Washington DC kanë folur nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Një zëdhënës i DASH-it në pyetjet lidhur me marrëveshjet e Dialogut dhe Asociacionin, ka thënë se rregullimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për paqe dhe stabilitet në rajon.

Ky zëdhënës ka thënë se platforma e Dialogut të Brukselit është rruga e vendosur që të dy shtetet të normalizojnë raportet mes veti.

“Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për arritjen e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm. Dialogu i BE-së është një kanal i vendosur për Prishtinën dhe Beogradin për të bërë përparim në normalizim”, ka thënë një zëdhënës i DASH-it për Express.

Derisa sa i përket arritjes së marrëveshjes së fundit për Ligjin për të Huajt, ky zëdhënës ka deklaruar se SHBA-ja e mirëpret arritjen e marrëveshjes dhe faktin që palët janë pajtuar reciprokisht.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin njoftimin e marrëveshjes së arritur mbi zbatimin e Ligjit për të Huajt. Ne përgëzojmë angazhimin e palëve në këtë çështje për të arritur një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët”, ka shtuar tutje ky zëdhënës.

Derisa sa i përket bisedave në takimin me emisarin e BE-së Peter Sorensen, nga DASH-i nuk kanë pranuar që të japin komente.

Sorenseni pas takimit me Hanrahan kishte njoftuar se kishin biseduar për Dialogun, marrëveshjet e fundit të arritura dhe kishte thënë se BE-ja e SHBA-ja janë në një linjë sa i përket rrugës përpara.