PDK-ja nesër mbledh kryesinë: E respektojmë vendimin e Kushtetueses
Foto: Laura Hasani

PDK-ja nesër mbledh kryesinë: E respektojmë vendimin e Kushtetueses

Aktuale March 25, 2026 - 19:50

Pas shpalljes së vendimit nga Gjykata Kushtetuese, Partia Demokratike të Kosovës ka njoftuar se do të mbledh nesër kryesinë dhe deputetët për të diskutuar hapat e mëtutjeshëm.

Këtë e ka konfirmuar për RTK-në sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku duke thënë se ky subjekt politik e respekton vendimin e institucionit.

 “Ne e respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese si institucion kyç i rendit demokratik, ashtu siç kemi vepruar gjithmonë”, ka thënë Çitaku.

Mbledhja është paraparë të mbahet në orën 14:00.

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë edhe 34 ditë afat deputetëve të Kuvendit të Republikës nga dita e hyrjes në fuqi të Aktgjykimit për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së presidentit.

Kushtetuesja njëzëri sot ka vendosur të deklarojë të pranueshme kërkesat e bashkuara në rastet e parashtruara nga kryeministri,  Albin Kurti, në emër të Qeverisë dhe kërkesës së parashtruar nga  Arbërie Nagavci dhe 30 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës.

Gjykata ka konstatuar se dekreti i presidentes që mban datën 6 mars nuk prodhon asnjë efekt juridik.