LDK-ja paralajmëron zgjedhje nëse nuk ka marrëveshje politike për presidentin brenda 34 ditëve
Foto: Laura Hasani

LDK-ja paralajmëron zgjedhje nëse nuk ka marrëveshje politike për presidentin brenda 34 ditëve

Aktuale March 25, 2026 - 20:04

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka sjellë qartësi të nevojshme në një moment të rëndësishëm institucional për vendin.

Abdixhiku theksoi se LDK-ja e respekton plotësisht këtë vendim dhe e konsideron atë si udhërrëfyes për veprimet e mëtejshme politike.

Sipas tij, vendimi nuk krijon epërsi për asnjë palë, por e rikthen procesin në Kuvend dhe u jep deputetëve një afat shtesë për zgjedhjen e Presidentit.

Ai nënvizoi se përgjegjësia kryesore në këtë fazë bie mbi shumicën parlamentare, e cila, sipas tij, ka pasur kohën dhe mundësinë për ta përmbyllur procesin. “Pa votat e shumicës, ky proces nuk mund të përfundojë,” tha Abdixhiku.

Kreu i LDK-së shtoi se çështje të tilla duhet të zgjidhen përmes marrëveshjeve politike dhe jo me imponim, duke theksuar se Presidenti duhet të jetë figurë bashkuese që garanton unitet dhe balancë institucionale.

Ai bëri të ditur se LDK mbetet e gatshme të kontribuojë në çdo përpjekje serioze për zgjidhje, por nuk do të shërbejë si “alibi e dështimeve të askujt”.

"Në këtë frymë, LDK mbetet e gatshme të kontribuojë në çdo përpjekje serioze për zgjidhje, që garanton stabilitet dhe funksionim normal të institucioneve. Por, njëkohësisht, nuk do të bëhet alibi e dështimeve të askujt", ka shkruar Abdixhiku.

Në të njëjtën kohë, Abdixhiku vlerësoi se veprimet e Vjosa Osmani kanë qenë në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues dhe shmangies së një vakumi institucional, duke shtuar se aktgjykimi nuk ka konstatuar shkelje kushtetuese.

"Në të njëjtën kohë, LDK konsideron se veprimet e Presidentes së Republikës, përfshirë dekretin e saj, kanë qenë në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues dhe të shmangies së një vakumi institucional, në një situatë të paqartë juridike. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese përveç se nuk konstaton ndonjë shkelje kushtetuese, ofron interpretimin përfundimtar rreth kësaj çështjeje, interpretim i cili duhet të respektohet nga të gjithë", u shpreh kreu i LDK-së.

Ai paralajmëroi se nëse nuk arrihet marrëveshje politike brenda 34 ditëve, LDK do të hyjë e përgatitur në një proces të ri zgjedhor, me synimin për të ofruar zgjidhje për vendin.