Gërvalla e Barishiq flasin për bashkëpunim në fushën e ekstradimit
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka pritur në takim ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Daniela Barishiq, me të cilën thotë se diskutuan për thellim bashkëpunimi, me theks forcimin e tij në fushën e ekstradimit.
“Kosova dhe Kroacia gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyeshme dypalëshe, me Kroacinë si shtet mik e partner të rëndësishëm të Republikës sonë. Me Ambasadoren e Kroacisë në Republikën e Kosovës, znj. Danijela Barišië, folëm për thellimin e bashkëpunimit në fushën e drejtësisë dhe nevojën për avancimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi. Në këtë kuadër, u theksua ndër të tjera rëndësia e forcimit të bashkëpunimit në fushën e ekstradimit, si një komponent i domosdoshëm për një bashkëpunim juridik më efektiv dhe funksional”, thotë Gërvalla.
Ministra e Drejtësisë thotë se krimet mizore të luftës gjithashtu mbeten një çështje e hapur dhe me ndjeshmëri të lartë për të dyja vendet, një plagë e hapur e shoqërisë që kërkon përkushtim maksimal e zotim të drejtpërdrejtë dhe qasje serioze, të qartë e konkrete institucionale.
“Trajtimi i këtyre çështjeve kërkon institucione të forta dhe vendimmarrje të qëndrueshme, që bazohen në sundim të ligjit. Pa reformë të thellë në drejtësi, nuk mund të ketë as sundim ligji të besueshëm dhe as shtet të fortë funksional”, thotë Gërvalla.