Mbi një muaj afat për zgjedhjen e presidentit, çfarë u tha pas vendimit të Kushtetueses?
Partitë politike tani kanë mbi një muaj kohë për të zgjedhur presidentin e ri, pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi të mërkurën dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit pas moszgjidhjes së presidentit më 5 mars.
Sipas vendimit të Gjykatës, dekreti i Osmanit nuk ka efekt juridik. Presidenca mirëpriti vendimin, duke konfirmuar se Osmani nuk ka bërë shkelje kushtetuese.
Gjykata ka sqaruar se nëse deputetët nuk zgjedhin presidentin brenda 34 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit, Kuvendi shpërndahet automatikisht. Pas shpërndarjes, Kosova duhet të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.
Aktgjykimi përcakton se Kuvendi shpërndahet në tri raste, mosformimi i qeverisë brenda 60 ditëve nga mandatar i caktuar nga presidenti, votimi për shpërndarje nga 2/3 e deputetëve, dhe moszgjedhja e presidentit brenda 60 ditëve nga fillimi i procedurës.
“Gjykata marrë për bazë kontekstin specifik të rrethanave të konstituimit të Kuvendit më 11 shkurt 2026, vlerësoi se Kuvendi nuk ka pasur gjashtëdhjetë 60 ditë në dispozicion, brenda të cilës periudhë duhej përfunduar procedura për zgjedhjen e presidentit”, u tha në vendim të Kushtetueses.
Gjykata ka sqaruar se afati 60-ditor lidhet me afatin 30-ditor të nenit 86.2 të Kushtetutës, duke krijuar një mekanizëm të vetëm për zgjedhjen e presidentit.
“Këto dy afate janë të ndërlidhura, në atë mënyrë që procedura duhet të zhvillohet brenda kufirit prej 60 ditësh dhe të përfundojë me zgjedhjen e presidentit jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual”, u tha në vendim.
Presidenca reagoi ndaj deklaratave politike që akuzonin Osmani për shkelje kushtetuese, duke thënë se dështimi për zgjedhjen e presidentit është i deputetëve dhe pasojë e mungesës së konsensusit politik.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, ka theksuar se vendimi i Gjykatës duhet të shërbejë për reflektim dhe angazhim institucional, duke shmangur një krizë të re dhe zgjedhje të panevojshme.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka theksuar se vendimi sjell qartësi dhe se përgjegjësia mbetet te shumica parlamentare. Ai theksoi se zgjidhjet duhet të arrihen përmes marrëveshjeve politike dhe jo me imponim.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, në Dukagjin ka theksuar se aktgjykimi i Gjykatës ka dhënë një mundësi shtesë për përmbushjen e detyrës kushtetuese, duke sqaruar se nuk ka pasur nevojë për dekret dhe se nuk ka konstatuar shkelje të Kushtetutës nga ana e Osmanit.