Qeveria, e heshtur ndaj kërkesave për Asociacionin
Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe vazhdon të jetë kërkesë e faktorit ndërkombëtar për Kosovës si parakusht për të ecur në rrugën evropiane.
Ish-përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për Kosovën, ambasadori, Wolfgang Petritsch (Wolfgan Petriq) në një intervistë në “Click” të RTV21 tha se kryeministri Kurti duhet ta themelojë Asociacionin.
I pyetur nëse Kurti do të jetë ai që do ta zbatojë këtë mekanizëm, Petritschi dha këtë përgjigje.
“Po. Po pres dhe më kanë thënë. Gjithashtu, edhe nga Kryeministri sa herë që takohemi dhe flasim për këtë. Unë gjithashtu provoj ta bind që duke gjetur një zgjidhje kompromisi për statusin e serbëve të Kosovës do ta fuqizonte statusin e Kosovës në Evropë. Dhe do të ishte një hap i rëndësishëm drejt BE-së. Kjo është diçka që Kurti që tani është politikani më i fuqishëm atje, me mbështetjen më të madhe publike, me mbështetje të votës, të bëjë këtë hap përpara. Kjo është e domosdoshme”.
Edhe përfaqësues të BE-së në Kosovë së voni kanë deklaruar se draftstatuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërkohë qeveria e Kosovë nuk iu përgjigj pyetjes të RTV21 nëse do të veprojë në lidhje me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe ashtu siç po kërkon bashkësia ndërkombëtare.
Por ditë më parë përfaqësues të LVV-së thanë se nuk ndërmarrin asnjë veprim në dëm të interesit të Kosovës derisa vetë kryeministrit Kurti para një jave ka thënë se “Zajednica” siç e ka quajtur ai nuk ekziston edhe pas pesë vitesh të tij në qeveri.
Opozita ndërkaq kërkon nga Kurti që të mos bëjë lojëra me Asociacionin të cilin, siç thonë në AAK, ai e ka pranuar.
“Kryeministri Kurti e ka pranuar Asociacionin dhe ai s/duhet të bëjë lojëra ose t paranojë ose jo. Nuk mendoj se SHBA-ja pranojnë një asociacion me kompetenca ekzekutive që e bën jofunksional shtetin e Kosovës... ne si AAK-kemi shprehur qëndrimin dhe s’jemi për një asociacion me kompetenca ekzekutive”, tha Albana Bytyqi.
Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është pjesë e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit si nivel i vetmenaxhimit të komunitetit serb.
Analisti politik, Jeton Kelmendi thotë se një asociacion i tillë nuk duhet zbatuar.
“Marrëveshja që kishin Thaçi dhe Mustafa me korrigjimet e bëra në kushtetuese ai asociacion duhet të bëhet jo ky që parasheh vetëmenaxhimin sepse i bie autonomi e plotë për serbët...”, tha Kelmendi.
Edhe Franca dhe Gjermania i kanë bërë thirrje kryeministrit Kurti për angazhim në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve duke thënë se u takon të dyja palëve të zbatojnë zotimet e marra në procesin e dialogut.