Osmani për 27-vjetorin e masakrës së Padalishtës: Nuk është vetëm përkujtim, por thirrje për drejtësi
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 27-vjetorin e masakrës së Padalishtës, duke e cilësuar atë si një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë.
Ajo përmes një postimi në rrjetin sopcial Facebook ka rikujtuar se 27 vjet më parë, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë kryen masakrën në Padalishtë të Skenderajt dhe në Çerkolez të Istogut.
Sipas Osmanit, kjo ditë nuk është vetëm përkujtim, por një thirrje e vazhdueshme për drejtësi, raporton Zeri.info.
“Forcat kriminale serbe masakruan 19 anëtarë të familjes Imeraj, pa kursyer as më të pambrojturit: 11 gra dhe 5 fëmijë të moshës nga 2 deri në 16 vjeç. Ishte një akt çnjerëzor që synonte jo vetëm shfarosjen e një familjeje, por edhe shuarjen e vetë shpresës për jetë. Kjo ditë nuk është vetëm përkujtim, por thirrje për drejtësi, e cila ende pret të vihet në vend. Qoftë i përhershëm kujtimi për martirët!”, ka shkruar Osmani. /Zëri