Zotëriu i parë në Shtëpinë e Bardhë, përfaqëson Kosovën në samitin ndërkombëtar për të rinjtë
Kosova është përfaqësuar në nivel të lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Zotëria i Parë Prindon Sadriu mori pjesë në samitin inaugurues të koalicionit global “Fostering the Future Together”, i organizuar në Shtëpia e Bardhë me ftesë të Zonjës së Parë Melania Trump.
Ngjarja mblodhi përfaqësues nga 45 vende të botës, ndërsa Kosova ishte një nga vetëm tetë shtetet e përzgjedhura për të mbajtur fjalimin kryesor. Në adresimin e tij, Sadriu shprehu mirënjohje për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe theksoi angazhimin e vendit për fuqizimin e fëmijëve dhe të rinjve përmes edukimit, inovacionit dhe teknologjisë.
Ai nënvizoi se mbrojtja dhe mirëqenia e fëmijëve duhet të jenë në qendër të zhvillimit digjital, duke e konsideruar këtë si prioritet kombëtar.
Ky angazhim lidhet edhe me vendimin e marrë në dhjetor 2025 nga Presidentja Vjosa Osmani, për t’iu bashkuar zyrtarisht koalicionit global “Fostering the Future Together”, një nismë që synon avancimin e politikave për të ardhmen e brezave të rinj.
Në kuadër të samitit dyditor, aktivitetet nisën me takime në Departamenti i Shtetit të ShBA-së, ku Sadriu u takua me zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë zv. Sekretarin e Shtetit Christopher Landau.
Gjithashtu, ai zhvilloi biseda me përfaqësues të kompanive të mëdha globale të teknologjisë si OpenAI, Microsoft, Google, Meta, xAI, Palantir, Adobe dhe Zoom Communications.
Diskutimet u përqendruan në mundësitë konkrete që këto platforma dhe shërbime mund të ofrojnë për Kosovën, sidomos në përmirësimin e edukimit dhe mirëqenies së fëmijëve dhe të rinjve.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë samit konsiderohet një dëshmi e rritjes së rolit ndërkombëtar të vendit dhe e përkushtimit institucional për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt dhe më inovative për brezat e rinj. Ky moment vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të partneritetit global dhe pozicionimit të Kosovës si një aktor i besueshëm në iniciativat ndërkombëtare.