Haxhiu: Krusha ende flet me dhimbje dhe mungesë

Haxhiu: Krusha ende flet me dhimbje dhe mungesë

Aktuale March 26, 2026 - 20:42

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë në ceremoninë e rivarrimit të Ajvaz Shehut, e cila u organizua sot në Krushë të Vogël, në 27-vjetorin e masakrës së kryer nga forcat serbe në këtë fshat.

Haxhiu rikujtoi se brenda pak orësh dhe ditësh në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël u morën jetët e 354 civilëve të paarmatosur shqiptarë, ndërkohë që 124 banorë nga këto dy fshatra u zhdukën me dhunë dhe vazhdojnë të mungojnë. Kryetarja Haxhiu tha se sot, 27 vjet më pas, Krusha flet ende me dhimbje dhe mungesë.

“Sot u kthye Ajvaz Shehu, vetëm 15 vjeç atëherë, për t’u prehur me dinjitet në tokën e tij. Ky kthim lehtëson dhimbjen e një familjeje, por na kujton se kjo histori nuk është mbyllur. Ne nuk harrojmë dhe as nuk ndalemi së kërkuari drejtësi për këto krime gjenocidale të Serbisë. Institucionet tona, që në themel kanë gjakun e dëshmorëve dhe martirëve, do të nderojnë përjetësisht kujtimin e tyre. Lavdi të rënëve për lirinë e Kosovës”, theksoi Haxhiu.