Kurti: Rrëmbimi i familjes Qerkezi, plagë e kujtesës sonë të përbashkët
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka përkujtuar rrëmbimin e pesë anëtarëve të familjes Qerkezi më 27 mars 1999 në Gjakovë.
Kurti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se historia e familjes Qerkezi mbetet një plagë e hapur dhe një kujtesë e përbashkët për të gjithë, raporton Zeri.info.
Postimi i plotë:
Sot jemi në një ditë përkujtimi, mes dhembjes që nuk shuhet dhe kohës që nuk e zbeh atë.
Në qendër të këtij kujtimi qëndron ajo që bart dhimbjen e pamatshme personale, e shndërruar në simbol kombëtar, Nëna Ferdonije.
Në rrugën “Martirët Qerkezi” në Gjakovë, ku dikur kishte jetë, ku qeshjet mbushnin dhomat, ka heshtje. Heshtje që dëshmon krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.
Më 27 mars 1999, forcat e armatosura të Serbisë ia rrëmbyen asaj katër djemtë, Artanin, Armendin, Ardianin dhe Edmondin, si dhe bashkëshortin Halimin. Bashkë me ta u zhdukën me dhunë edhe të afërm e fqinjë. Që nga ajo ditë, Nëna Ferdonije përballet me mungesën që nuk mbushet, me pritjen që nuk përfundon.
Historia e familjes Qerkezi, është plagë dhe kujtesë e përbashkët.
Po atë ditë marsi të vitit 1999, në Dardaninë e Pejës, brenda pak orësh u vranë 40 civilë shqiptarë, në Klladernicë të Skënderajt u masakruan 75, në Mamushë u vranë 18 martirë, e në Obiliq 10 anëtarët e familjes Rama. Në Fushë-Kosovë sot përkujtohen 168 shqiptarë të vrarë.
Në këtë përvjetor, ne përkulemi me respekt para kujtimit të të gjithë të vrarëve dhe të zhdukurve me dhunë nga Serbia. Nderojmë sakrificën e popullit tonë, që është themeli mbi të cilin qëndron Republika jonë e lirë.
Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!
Përkulje para forcës së Nënës.