Imeri: Deklaratat e Vuçiqit për Kurtin në Paris janë propagandë pa bazë
Politologu Dorajet Imeri ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, lidhur me vizitën e kryeministrit të Kosovës në Paris, duke i cilësuar ato si “propagandë të pabazë dhe të destinuara për manipulim”.
Sipas Imerit, Vuçiq po përpiqet të ndërtojë një narrativë të re, duke krijuar përshtypjen se çdo veprim i Kosovës ndodh nën dijeninë e tij, gjë që, sipas tij, është pjesë e një strategjie propagandistike për të përçuar pasiguri te qytetarët dhe institucionet e Kosovës.
Ai thekson se përmes këtyre deklaratave synohet të paraqitet Serbia në një pozitë më të favorshme, ndërkohë që realiteti tregon të kundërtën.
Imeri vlerëson se avancimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare përfaqëson rritje të sigurisë dhe prosperitetit, si për vendin ashtu edhe për rajonin, duke shtuar se kjo përputhet me vlerat demokratike dhe perëndimore.
Sipas tij, propaganda serbe ka në thelb një qasje antiperëndimore dhe antidemokratike, ndërsa retorika e Vuçiqit shpesh lidhet me zhvillimet e brendshme në Serbi, përfshirë periudhat zgjedhore.