Akuza për pasaktësi dhe fyerje - çfarë ndodhi me ekspozitën për masakrat në Kosovë e cila u largua nga sheshi

Akuza për pasaktësi dhe fyerje - çfarë ndodhi me ekspozitën për masakrat në Kosovë e cila u largua nga sheshi

Aktuale March 29, 2026 - 09:07

Ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, e cila u vendos në sheshin kryesor të Prishtinës, ka nxitur reagime të shumta publike, politike dhe institucionale, duke u shndërruar në një nga debatet më të mëdha të ditëve të fundit në vend.

Ekspozita në fjalë është mbështetur financiarisht nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa sipas organizatorëve, ajo kishte për qëllim dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Përmbajtja ka qenë pjesë e ekspozitës së organizuar nga organizatat joqeveritare, INTEGRA dhe ADMOVERE.Megjithatë, menjëherë pas hapjes, u ngritën dyshime për pasaktësi në të dhënat e paraqitura, veçanërisht lidhur me viktimat e disa masakrave.Reagime të forta erdhën nga qytetarë, organizata dhe përfaqësues politikë, të cilët e cilësuan ekspozitën si të pasaktë dhe fyese për viktimat.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së e quajti atë një “fyerje për gjakun e derdhur”, duke e cilësuar financimin nga Kuvendi si skandal të pafalshëm, ndërsa subjekte politike si Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkuan sqarime dhe përgjegjësi për financimin dhe përmbajtjen e saj.Një nga zërat më të përfshirë në debat ishte autori i kësaj ekspozite Shkëlzen Gashi, i cili mbrojti ekspozitën duke thënë se ajo ishte bazuar në listën e hartuar nga Humanitarian Law Center, e udhëhequr nga Natasha Kandiqi.

Sipas tij, kjo është lista e vetme gjithëpërfshirëse që ekziston aktualisht, pasi Kosova ende nuk ka një listë zyrtare të të gjithë të vrarëve gjatë luftës 1998–1999. Ai gjithashtu përmendi edhe se teksti për prezentimin e masakrës në Burgun e Dubravës është bazuar në listën e të vrarëve të Fondit për të Drejtën Humanitare.Gashi theksoi se problemi kryesor qëndron te mungesa e një liste zyrtare dhe të saktë të viktimave nga institucionet e Kosovës.Nga ana tjetër, vetë Fondi reagoi duke kundërshtuar pretendimet për pasaktësi, duke mbrojtur metodologjinë e përdorur.

Në reagim thuhet se të dhënat e paraqitura në ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999” në disa raste japin një pasqyrë të pasaktë të krimeve.

“Kjo nuk është çështje interpretimi, por mungesë elementare e njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare, faktet e vërtetuara në gjykatë dhe mënyrën e leximit të të dhënave nga Baza e të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) dhe Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK)”, thuhej në reagimin e FDH-së.Institucionet shtetërore dhanë qëndrime të ndryshme. Nga Kuvendi i Kosovës u tha se përgjegjësia për përmbajtjen i takon autorëve të ekspozitës, edhe pse financimi ishte miratuar nga deputetët.

Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu deklaroi se vendimi për mbështetje ishte marrë nga kryesia e Kuvendit (me përjashtim të Listës Serbe).

Haxhiu shprehu keqardhje për situatën e krijuar, duke nënvizuar se verifikimi i detajuar i të dhënave nuk është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Kryesisë së Kuvendit.Për shkak të reagimeve të shumta dhe tensioneve të krijuara, ekspozita u largua nga sheshi vetëm pak ditë pas vendosjes së saj.

Largimi u bë një ditë pas vendimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për pezullimin e lejes së ekspozimit, për shkak të pasaktësive të evidentuara në përmbajtjen e ekspozitës.

Në këtë drejtim, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se po e ndjek rastin dhe do të vlerësojë nëse ka elemente të përgjegjësisë penale lidhur me përmbajtjen dhe organizimin e ekspozitës.Lufta e viteve 1998-’99 në Kosovë, i ka lënë rreth 13.000 njerëz të vrarë, ndërsa mbi 1.600 të tjerë ende konsiderohen të zhdukur.

Prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendëse dhe ndërkombëtare.

E gjithë kjo situatë rreth ekspozitës ka rikthyer në vëmendje nevojën urgjente për trajtim më të kujdesshëm dhe institucional të së kaluarës së luftës.

Debatet e fundit treguan se mungesa e koordinimit dhe e verifikimit të plotë të të dhënave mund të shkaktojë përçarje dhe reagime të forta në shoqëri.

Për shumëkënd, kjo ngjarje shërben si një thirrje që institucionet të marrin përgjegjësi më të madhe në dokumentimin e saktë të viktimave dhe në ruajtjen e dinjitetit të kujtesës kolektive./Telegrafi